Fosili i Lucy-t (lex. Lusit) është ndër zbulimet më të mëdha në përpjekjet e shkencës për të kuptuar evolucionin e njeriut. Është i vjetër rreth 3.18 milionë vite dhe ka tipare të ndërmjetme mes majmunëve të sotëm dhe njeriut. Një tipar i ndërmjetëm i njeriut në mes të shumë tipareve të majmunëve që theksohet është bipedalizmi i kësaj gjallese. Pra, Lucy ka qenë gjallesë që ka ecur në dy këmbë, për dallim nga majmunët që ecin me të katër gjymtyrët. Kjo do të thotë se Lucy i ishte përshtatur jetës në tokë.
Megjithatë, shkencëtarët nuk ishin ende të sigurt nëse Lucy ka kaluar tërë kohën në tokë apo një pjesë të aktiviteteve jetësore i ka kryer dhe në pemë, ashtu siç bëjnë majmunët. Kjo për faktin se shumë detaje të ndërtimit anatomik te Lucy-t kanë sugjeruar se kjo gjallesë është ngjitur dhe në pemë, ashtu sikurse majmunët. Mirëpo, së fundi, shkencëtarët kanë zbuluar se Lucy, siç duket, ka vdekur nga rënia nga një pemë. Kjo forcon edhe më shumë bindjet se kjo gjallesë një pjesë të kohës e ka kaluar aty. Ata erdhën në këtë përfundim pas një studimi të detajuar të ndërtimit anatomik të gjallesës. Pas skanimit dhe rezultateve nga ai, ata panë disa dëmtime të pazakonshme: fundi i humerusit të djathtë kishte disa dëmtime që treguan për përplasje me tokën. Pra, natyra e dëmtimeve ishte e atillë që mund të shkaktohej vetëm kur dora godet tokën gjatë rënies. Shkencëtarët gjithashtu zbuluan dëmtime në krahun e majtë dhe në gjithë skeletin e Lucy-t, duke përfshirë dhe disa dëmtime në kyçin e djathtë të këmbës, në gjurin e djathtë dhe në brez të komblikut, etj. Që të gjitha këto çuan në përfundimin se Lucy kishte rënë nga një lartësi. Meqë nuk ka ndonjë provë se plagët u shëruan, shkencëtarët thonë se rënia do e ketë shkaktuar vdekjen. Meqë dëmtimet e shkaktuara gjithashtu tregojnë se Lucy ka rënë në tokë nga një lartësi relativisht e madhe, shkencëtarët mendojnë se Lucy ka rënë nga një pemë. Kështu, përmes studimit të të dhënave, shkencëtarët kanë zgjidhur një rast vdekjeje miliona vjeçare në një mënyrë shumë të ngjashme me atë që përdorë policia për zgjidhjen e rasteve të dyshimta të vdekjeve në kohën tonë.
1. http://www.nature.com/nature/journal/vaop/ncurrent/full/nature19332.html
2.https://news.utexas.edu/2016/08/29/ut-study-cracks-coldest-case-how-lucy-died