Nga shumë shembuj të tjerë të evolucionit në veprim, është edhe ai i një lloji të karavidheve, i sistemuar në Klasën Crustacea (gaforreve). Në një studim të postuar online në BioRxiv, shkencëtarët kanë paraqitur rezultatet e një hulumtimi të bërë mbi një lloj karavidheje, e cila shumohet me anë të procesit të partenogjenezës duke bërë kështu klone të vetvetes. Partenogjeneza është proces i fertilizimit pa pjesëmarrjen e spermatozoidit, pra praninë e mashkullit.
Ajo çfarë e bën këtë studim edhe më interesant, është se një mutacion i papritur dhe i menjëhershëm gjenetik kishte bërë që ky lloj karavidheje ta ndryshojë plotësisht sistemin e tij reproduktiv, duke kaluar në lloj, i cili shumohet me partenogjenezë, pra duke bërë klone të vetvetes. Ky lloj i karavidheve që janë të gjitha femra është zbuluar për herë të parë në vitin 1995, mirëpo deri tani nuk dihej për statusin e saj dhe se si duhej të kategorizohet. Ka arritur një përhapje të gjerë duke u përhapur në vende të ndryshme, duke perfshirë edhe Madagaskarin, e duke rrezikuar karavidhet vendase. Ky lloj karavidheje i njohur si karavidhe e mermertë, është i ngjashëm me karavidhen e kënetave të njohur me emrin Procambarus Fallax . Hulumtuesit kanë treguar se karavidhet meshkuj të kënetave nuk mund t'i fertilizojnë qelizat vezë të karavidhes së mermertë, shenjë kjo vendimtare e kalimit në një specie tjetër sepse specia definohet si grup i populacioneve natyrore, individët e së cilës munden lirisht të çiftëzohen e të lënë pas vetes pasardhës pjellorë. Këtë e vërtetojnë edhe analizat në gjenomin mitokondrial të cilat gjithashtu tregojnë se karavidhja e kënetave P. Fallax dhe karavidhja e mermertë i takojnë të njëjtës origjinë me karavidhen e mermertë të ndarë nga P. Fallax e duke kaluar në specie të re.
Hulumtuesit gjithashtu kanë propozuar që specia e re, pra karavidhja e mermertë që shumohet me partenogjenezë, të njihet me emrin Procambarus virginalis, "virginalis" për arsye të mënyrës së veçantë të riprodhimit.
1. http://news.sciencemag.org/biology/2015/08/crayfish-create-new-species-female-superclones?utm_source=facebook&utm_medium=social&utm_campaign=facebook
2. http://biorxiv.org/content/early/2015/08/23/025254