Edhe pse një nga principet e teorisë së evolucionit është se evolucioni është një proces shumë gradual, i cili kërkon kohë të gjatë për ndryshime madhore në organizma, shkencëtarët, megjithatë, gjithmonë kanë folur për mundësinë e evolucionit të shpejtë (rapid) në raste të caktuara specifike. Madje, ka pasur edhe shkencëtarë siç ishte i ndjeri Stephen Jay Gould, i cili propozoi se i gjithë evolucioni miliona vjeçar i specieve, ka ardhur si rezultat i evolucionit të shpejtë në kohë të caktuar. Ai argumentonte se gjallesat nuk evoluonin për një kohë gjatë, me përjashtim të disa ndryshimeve të vogla të pavërejtëshme, e më pastaj kjo periudhë statike shoqërohej nga një evolucion i shpejtë që rezultonte me ndryshime madhore. Shumë shkencëtarë ende nuk pajtohen me propozimin e kësaj fome të evolucionit. Sido që të jetë, mundësia për evolucion rapid nuk mohohet nga shkencëtarët.
Se mund të ketë evolucion të shpejtë, këtë e dëshmon edhe një studim i fundit i bërë nga një ekip i shkencëtarëve, i udhëhequr nga profesoresha Kimberly Hughes nga Universiteti i Floridës. Ata kanë marrë një specie të peshqve i njohur si peshku gapi i Trinidadit (ang. Trinidadian guppy; shkenc. Poecilia reticulata) dhe e kanë transportuar atë nga një lum me peshq grabitqarë në dy lumenj të tjerë në të cilët nuk kishte peshq grabitqarë. Për shkak se gapit shumohen disa herë në vit, shkencëtarët kanë mundur t'i vërejnë ndryshimet pas katër gjeneratave. Kështu, pasi që ata sekuancuan materialin gjenetik të trurit të gapit, hulumtuesit gjetën se rreth 135 gjene kishin evoluar. Ndryshimet ishin të brendshme duke prekur vetëm proceset biologjike si metabolizmi, etj.
Këto gjetje mund të kenë edhe implikime më të gjera në fusha të tjera të hulumtimit, si në ndryshimet klimatike dhe në trajtimin e kancerit.
1. http://www.newswise.com/articles/fsu-researcher-change-in-environment-can-lead-to-rapid-evolution
2. http://www.nature.com/nature/journal/vaop/ncurrent/full/nature15256.html