Një artikull i botuar së fundmi te Gondwana Research sugjeron se përplasja e vazhdueshme e pllakave tektonike rreth 700 milionë vite më parë jo thjesht mund të ketë luajtur rol, por mund të ketë qenë shtytësi kryesor i evolucionit në këtë periudhë. Shkencëtarët nga Universiteti i Tasmanisë kanë kontrolluar variacionin e koncentrimit të elementeve gjurmë (që gjenden me sasi të vogël) në 4000 copa piriti të mbledhura në vende të ndryshme të botës. Elementet e tilla si bakri, zinku, fosfori e seleni në sasi të vogla janë të nevojshme për organizmat. Ata vunë re se sasia e këtyre elementeve në ujë ndryshonte sipas periudhave dhe se në kohën kur këto gjendeshin me bollëk në ujë shtohej edhe mundësia e organizmave për t’u zhvilluar e për të evoluar. Gjatë “Shpërthimit Kembrian” sasitë e këtyre elementeve në fundin e oqeaneve arritën kulmin. Në një ambient të pasur me lëndë ushqyese, llojet e ndryshme të gjallesave u shtuan shpejt. Rënia e sasisë së këtyre elementeve mund të ketë luajtur rol në zhdukjet masive që ndodhën në periudhat Ordovikiane, Devoniane dhe Triasike.
Studimi në fjalë nuk është ende përfundimtar, por ai jep një nga skenarët e mundshme për këto periudha. Siç dihej edhe më parë, lëvizja e pllakave tektonike krijon malet dhe bën ndryshime të tjera të mëdha në sipërfaqen e tokës. Këto quhen lëvizje orogjene. Gjatë lëvizjeve orogjene, rritet shumë shkalla e erozionit, gjë që ndikon në lëvizjen e materialeve ushqyese drejt oqeaneve. Kjo është hera e parë që është bërë lidhja mes përplasjeve tektonike dhe sasisë së elementeve ushqyese.
Burime:
1. https://theconversation.com/plate-tectonics-may-have-driven-the-evolution-of-life-on-earth-44571
2. http://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S1342937X15001537