Kjo distancë e menduar mes njeriut dhe shimpanzeve po ngushtohej çdo herë e më shumë, pasi që përgjatë viteve të hulumtimit shkencëtarët kanë filluar të dëshmojnë për sjellje të caktuara të shimpanzeve, karakteristikat e të cilave megjithatë nuk janë unike vetëm për njeriun. Me fjalë të tjera, nuk dallohet vetëm njeriu me to. Kështu, bindjet se ne, përkundër ngjashmërive të përmendura në fillim të këtij shkrimi, kemi disa tipare që na dallojnë dhe për këtë arsye jemi të veçantë, filluan të veniten. Kjo bindje mund të venitet edhe më shumë nga vrojtimet e ditëve të fundit të sjelljes së një grupi të shimpanzeve, të cilat tregojnë se ritualet, një element kulturor që besohet që karakterizon vetëm njeriun, me shumë gjasa janë të pranishme edhe te shimpanzetë!
Shkencëtarët më parë kanë arritur të vrojtojnë sjellje të caktuara të shimpanzeve, për të cilat nuk është ditur më herët, dhe ishin pikërisht këto sjellje që kanë hedhur poshtë bindjen se disa sjellje të karakterizuara me tipare të caktuara janë të pranishme vetëm te njeriu. Edhe pse te shimpanzetë nuk janë të avancuara si te ne ato shfaqen me: përdorimin e gurëve për çarjen e frutave të mëdha, ndërtimin dhe përdorimin i heshtave për peshkim, ndërtimin e shkopinjve të veçantë për nxjerrjen e termiteve nga çerdhja e tyre për t'i ngrënë, ndërtimin e shkopinjve për nxjerrjen e mjaltës, etj. Një grup i shimpanzeve madje është vrojtuar se ndërton shtiza për gjuajtjen e gjitarëve, në këtë rast, leopardëve, dhe janë vrojtuar duke i gjuajtur. Megjithatë, sjellje që i karakterizojnë ritualet nuk janë vrojtuar asnjëherë më parë.
Por, ritual mund të jetë ajo çfarë shkencëtarët kanë parë gjatë studimit të një grupi të shimpanzeve të vrojtuara në Republikën e Guinesë. Ata u lajmëruan, nga një banor i afërt me vendin ku jeton një grup i shimpanzeve, se ai kishte vërejtur disa pemë me shenja të veçanta ku nën këto pemë ndodheshin të vendosur grumbuj gurësh. Në fillim shkencëtarët menduan për mundësinë se derrat e egjër ose fëmijët që kanë luajtur mund të ishin përgjegjës për këtë. Megjithatë, për të parë se kush në të vërtetë i kishte vendosur gurët, ata vendosën kamera afër pemëve, me shpresën se kushdo që ka vendosur ata gurë, do të kthehet prapë për ta përsëritur sjelljen. Ajo çfarë kamerat arritën të kapin është e mahnitshme. Në kamera shihet një shimpanze tek i afrohet pemës, ndalon pranë saj dhe shikon përreth. Pas kësaj kjo shimpanze merr një gur dhe me tërë forcën, nga një distancë e caktuar, e gjuan dhe e përplas gurin për pemë. Për më tepër, kjo sjellje e këtij grupi të shimpanzeve përsëritet kohë pas kohe. Shimpanzetë janë vrojtuar edhe më herët tek hedhin gurë për të treguar dominimin e tyre në një grup të caktuar, ose në raste të tjera duke gjuajtur dikë kur ndihen të kërcënuar, por një sjellje e tillë si ajo që u përshkrua më lart, ku shimpanzetë hedhin gurë në pemë dhe grumbullojnë gurët nën të (pa u ndjerë të kërcënuar dhe pa ndonjë qëllim për të marrë ushqim, etj), nuk është parë asnjëherë më herët. Shpjegimi më i mirë për një sjellje të tillë të çuditshme mund të jetë kryerja e ndonjë ceremonie rituali të caktuar nga shimpanzetë, ndërsa pemët e caktuara janë shndërruar në një vend të shenjtë për ta.
Ajo që është edhe më interesante, është se sjellje të ngjashme, grumbullimi i gurëve për qëllime të ritualeve të caktuara, janë vërejtur edhe te disa grupe njerëzish që jetojnë në vende të caktuara.
1. http://www.nature.com/articles/srep22219
2 http://www.scientificamerican.com/article/mysterious-chimpanzee-behavior-may-be-evidence-of-sacred-rituals/
3.http://www.mpg.de/10328790/chimpanzee-stone-tree
4. https://whyevolutionistrue.wordpress.com/2016/03/01/do-chimps-have-sacred-rituals/
5. http://www.sciencemag.org/news/2016/02/why-do-some-chimps-throw-rocks-trees