Në vitet ’90, një grup shkencëtarësh arriti në përfundimin e universi është duke u zgjeruar me nxitim, pra shpejtësia me të cilën po zgjerohet është duke u rritur. Për llogaritjen e shpejtësisë së zgjerimit të universit, shkencëtarët përdorën supernova të tipit Ia (lexo: një a), të cilat janë shpërthim shumë të ndritshme të xhuxhëve të bardhë, një lloj ylli shumë i dendur, me përmasa të përafërta me ato të Tokës dhe me masë të përafërt me atë të Diellit. Meqë kur shpërthejnë japin dritë të ngjashme me njëri-tjetrin, drita e tyre përdoret për krahasime. Pra, sa më pak dritë që na vjen në Tokë nga ata tregon largësi më të madhe dhe sa më i shtyrë të jetë spektri i tyre drejt ngjyrës së kuqe (sa më i madh redshifti) aq më shpejt po na largohen. Gjatë vëzhgimit të rreth 50 supernovave të tilla, shkencëtarët vunë re se ato ishin më të errëta se sa do të duhet të ishin dhe për pasojë më larg. Kjo ishte shenjë se universi po zgjerohej me nxitim. Shkak për këtë nxitim konsiderohet energjia e errët, për të cilën në dimë pak a shumë asgjë deri tani. Për këtë zbulim, në vitin 2011, shkencëtarët Saul Perlmutter, Brian Schmidt dhe Adam Riess fituan çmimin Nobel në fizikë.
Një studim i ri i bërë nga shkencëtarët e universitetit të Oksfordit dhe i udhëhequr nga Subir Sarkar e kundërshton atë përfundim. Studimi bazohet në një numër shumë më të madh supernovash, plot 740. Sipas këtij studimi, të dhënat duket se mbështesin idenë se universi po zgjerohet me shpejtësi konstante. Një model universi që zgjerohet me shpejtësi të pandryshuar do të hiqte nevojën për ekzistencën e energjisë së errët duke e thjeshtuar modelin standard të kozmologjisë. Ky studim vë në pyetje modelin teorik të përdorur në zbulimin fillestar dhe thotë se rezultati i zgjerimit me nxitim ka saktësi prej 3 sigma (99,7% siguri) dhe jo 5 sigma (99,9999% siguri), siç kërkohet zakonisht për zbulimet e mëdha. Edhe pse studimi origjinal është mbështetur nga shumë studime të tjera gjatë 20 viteve të fundit dhe ky studim nuk paraqet mjaftueshëm të dhëna për ta hedhur poshtë, ai padyshim që është një përpjekje për ta bërë komunitetin shkencor të ristudiojë një teori që tashmë konsiderohet themelore në kozmologji.
Shkencëtarë të tjerë kanë reaguar ndaj artikullit duke vënë në pah probleme të ndryshme në zgjedhjen e supernovave dhe trajtimin e tyre. Kozmologu David Rubin, thotë se saktësia e llogaritjes së nxitimit mund të dëmtohet fare lehtë nga problemet e përzgjedhjes. Kjo do të thotë se ekziston mundësia që studimi i ri përpiqet ta hedhë poshtë origjinalin duke bërë gabime që origjinali nuk i ka bërë. Duke pasur parasysh interesimin në këtë fushë, është e sigurt se në të ardhmen do të shohim studime të reja në lidhje me nxitimin e zgjerimit të universit.
Referencat:
1. http://www.nature.com/articles/srep35596
2. https://www.nobelprize.org/nobel_prizes/physics/laureates/2011/press.html
3. http://www.ox.ac.uk/news/science-blog/universe-expanding-accelerating-rate-%E2%80%93-or-it
4. https://davidarnoldrubin.com/2016/10/24/marginal-marginal-evidence-for-cosmic-acceleration-from-type-ia-supernovae/