Energjia termike diellore, apo në fjalë të thjeshta energjia e nxehtësisë së diellit ka shumë përdorime, qoftë në formë nxehtësie, qoftë për krijimin e rrymës elektrike apo edhe për pastrimin e shkripëzimin e ujit. Në tokë ka shumë zona që nuk kanë ujin e nevojshëm për pirje e pastrim edhe pse kanë ujë përreth. Kjo sepse uji është i pistë ose sepse është ujë deti apo oqeani, pra i kripur. Në këto kushte, avullimi i ujit, mbledhja e avullit dhe kondensimi i tij në ujë të pastër duket si ide e mirë. Por, teknikat për ta bërë një gjë të tillë në mënyrë që nuk kushton shumë nuk janë mjaftueshëm të zhvilluara. Ato ekzistueset janë të shtrenjta. Metodat që përdorin energjinë e diellit nuk janë më të lira, pasi që kanë nevojë për sisteme optike të cilat mbledhin dritën e diellit dhe e fokusojnë, në mënyrë që të vlojnë ujin për pastrim apo shkripëzim. I njëjti problem paraqitet edhe në rastin e përdorimit të energjisë diellore për avullimin e ujit, me qëllim përdorimin e avullit për lëvizjen e turbinave.
Pajisja është krijuar duke përdorur një sfungjer, i cili e mban pajisjen mbi ujë. Sipër sfungjerit është një shtresë pambuku. Mbi të gjendet një fletë e hollë bakri e mbuluar me një material kompozit qeramike, i cili përdoret zakonisht në ngrohës diellorë uji, dhe mbi këtë të fundit gjendet një shtresë e hollë metali blu. Materiali nga qeramika absorbon dritën e dukshme dhe ultravjollcë, por nuk rrezaton në valë infra të kuqe siç bëjnë materialet e zakonshme kur nxehen. Përmes këtyre shtresave, janë krijuar vrima. Mbi këtë pajisjen është vendosur një shtresë mbështjellësi plastike me flluska ajri, nga ata që përdoren për mbështjelljen e pajisjeve të ndryshme gjatë transportit. Ky lloj mbështjellësi lejon rrezet e dritës të kalojnë në shtresat poshtë tij, por për dallim nga mbështjellësit e tjerë plastikë, ky ka flluska ajri, të cilat krijojnë njëfarë efekti serrë. Përdorimi i këtij materiali ishte një ide nga vajza 16 vjeçare e njërit nga shkencëtarët.
Vrimat në sfungjer bëjnë që uji të lëvizë lart dhe kur arrin shtresën nga pambuku të shtrihet në të. Këtu, ai bie në kontakt me shtresën e bakrit, e cila është përçuese e mirë e nxehtësisë, dhe nxehet shpejt. Vrimat në shtresat sipër e lejojnë avullin të dalë nga sistemi.
Pajisjes i duhen vetëm disa minuta në diell për t’u nxehur mjaftueshëm sa të fillojë të funksionojë. Për trajtimin e ujërave të zeza mund të përdoret në formën që ka tani. Kështu, uji avullohet dhe papastërtitë e mbetura mund të transportohen më lehtë. Në rastet kur qëllimi është përdorimi i avullit, siç është ai i pastrimit dhe shkripëzimit të ujit për përdorim, pajisja duhet të përdoret në bashkëpunim me një pajisje tjetër që e mbledh avullin dhe mundëson kondensimin e ujit të pastër.
Referenca:
1. http://www.sciencemag.org/news/2016/08/solar-still-made-bubble-wrap-could-purify-water-poor
2. http://www.nature.com/articles/nenergy2016126
3. http://news.mit.edu/2016/sponge-creates-steam-using-ambient-sunlight-0822
4. http://spectrum.ieee.org/energywise/green-tech/solar/new-solar-thermal-energy-system-floats-on-water-and-boils-it?utm_campaign=Recycle&utm_source=Twitter&utm_medium=SF