Dyoksidi i karbonit (CO2) është një nga gazet që lirohen gjatë procesit të djegies dhe është një nga gazet kryesorë serrë, të cilët ndikojnë në ngrohjen e planetit. Që nga revolucioni industrial, njerëzit kanë shtuar sasinë e këtij gazi në natyrë me shpejtësi më të madhe se sa ajo me të cilën natyra arrin ta ripërdorë. Bimët e gjelbra e shndërrojnë në ushqim përmes fotosintezës, por përmes shpyllëzimit dhe ndërtimit, njeriu ka zvogëluar edhe këto sipërfaqe duke ndihmuar edhe më tej mbledhjen e CO2 në natyrë.
Gjatë viteve të fundit shkencëtarët kanë bërë vazhdimisht përpjekje për të krijuar mënyra përdorimi të CO2 në mënyra që mund të jenë të dobishme për njeriun në kohë të shkurtër dhe për planetin si plan afatgjatë. Përdorimi i tillë është, sigurisht, shndërrimi i CO2 në karburant. Edhe pse ekziston një numër i madh metodash për këtë, shumica paraqesin vështirësi dhe produktet e fituara nuk janë aq të përdorura pasi që janë zakonisht një përzierje substancash të ndryshme. Ato gjithashtu kanë shumë hapa, gjë që i bën më të shtrenjta.
Shkencëtarët nga Oak Ridge kanë krijuar një plan me disa hapa për të shndërruar CO2 në metanol (CH3OH), alkoolin më të thjeshtë. Si pjesë e njërit nga këta hapa, ata përdorën një strukturë të krijuar përmes nanoteknologjisë e cila përbëhej nga thumba nanometrikë grafeni (që duken si fije në figurën sipër) me nanogrimca bakri (në figurë duken si rrathë). Kjo lloje strukture koncentron reaktivitetin elektrokimik në majat e thumbave. Meqë bakri dhe karboni (grafeni është stukturë karboni) janë materiale shumë të lira, ato e bëjnë këtë katalizator shumë më të lirë se shumica e katalizatorëve të përdorur në procese të ngjashme. Por, ajo që shkencëtarët nuk e prisnin ishte shndërrimi i drejtpërdrejtë i CO2 në etanol (CH3CH2OH), alkoolin e dytë për nga thjeshtësia dhe gjithashtu alkoolin më të përdorur. Ai gjen përdorim, jo vetëm si karburant, por edhe në mjekësi, pastrim e pije. Për më tepër, ky proces me një hap të vetëm shndërronte dyoksidin e karbonit të tretur në ujë në etanol me rendiment 63%. Procesi kryhet në temperaturë të dhomës gjë që e bën atë të përdorshëm lehtësisht dhe prandaj shkencëtarët planifikojnë ta përshkallëzojnë për përdorim në industri. Ata gjithashtu mendojnë se procesi mund të përsoset për një rendiment edhe më të madh.
Referencat:
1. http://onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1002/slct.201601169/abstract
2. https://www.ornl.gov/news/nano-spike-catalysts-convert-carbon-dioxide-directly-ethanol