Më poshtë mund të shihni pytjen që na është bërë dhe përgjigjen tonë.
Njeriu është i lindur për të njohur forma të rregullta në gjëra që s’kanë rregull. Arsyeja psikologjike se pse dikush beson në teori komplotesh është e njëjta me atë që të bën ty të shohësh forma kafshësh në re. Pastaj, pasi e ke identifikuar diçka si konspiracion, ajo të duket arritje. Ideja se ti je ai apo ajo që ka zbuluar diçka që i prekë të gjithë, ndërkohë që askush përreth teje nuk e di një gjë të tillë të bën të ndihesh i fuqishëm/e fuqishme, i/e ditur, i/e aftë,... Të gjitha këto ndjenja janë të pëlqyeshme dhe truri yt dëshiron t’i mbajë, kështu që ti nuk ke arsye për të dyshuar, por përkundrazi, futesh edhe më thellë në komplote. Kështu, kur dikush të kundërshton, ti kërkon vetëm informacionet që pajtohen me idetë që ti tashmë i ke formuar (konfirmim paragjykimi). Pastaj, ekziston ajo ideja se një problem i madh duhet të ketë një shkak po aq të madh (paragjykim proporcionaliteti). Kështu, një komplotist një vendim të keq të qeverisë nuk e sheh thjesht si vendim politikanësh të paaftë, por komplot nga një organizatë e fshehtë. Një faktor tjetër është edhe projektimi. Personat thashethemexhi, të cilët bëjnë komplote për të dëmtuar një të njohur, një mik, një të afërm, apo dikë me të cilin bëjnë biznes në jetën e përditshme janë më të prirur të mendojnë se e gjithë bota vepron ashtu. Nëse ai apo ajo bën një komplot të vogël, pse të mos e bëjnë njerëzit më të fuqishëm një komplot të madh. E vërteta është se bota reale është më e mërzitshme.
Kur teoricienët e komploteve përballen me dy teori konspiracioni, ata jo vetëm që nuk binden që të dyja këto janë të gabuara, por ka mundësi edhe të besojnë në të dyja njëkohësisht. Kështu, një person i tillë mund të besojë se jashtëtokësorët reptilianë me pamje njeriu kontrollojnë botën dhe njëkohësisht të besojnë se bota kontrollohet nga Iluminati. Në një studim të vitit 2012 është vërtetuar ky fenomen. Disa studentë janë pyetur për vdekjen e Osama bin Laden, dhe të njëjtit që mendonin se ai ishte vrarë para sulmit, në të cilin shteti amerikan deklaroi se u vra kishin më shumë mundësi të besonin se ai është ende gjallë. Osama bin Laden i Shrëdingerit, me sa duket. Shkencëtarët që kanë marrë pjesë në atë studim janë shprehur se këto ide vijnë nga mosbesimi ndaj autoriteteve, frika dhe paranoja. Të diskutosh me këta persona, sado fakte e artikuj shkencor që të kesh, nuk funksionon. Përkundrazi, me kundërshtimin tënd ndaj një gjëje që ata e besojnë plotësisht, ti i shtynë ata drejt një qëndrimi më ekstrem në atë temë. Edhe ky është një efekt i studiuar mirë i quajtur “Efekti dështues (Backfire effect)”.
Iluminati ka ekzistuar si shoqëri, si organizatë. Pra, nuk është diçka e fantazuar. Ajo që është e fantazuar është lidhja e figurave të artit e muzikës, politikës e ekonomisë, me këtë organizatë. Në shekullin 18 Iluminati ekzistonte vërtetë. Emri vinte nga latinishtja, shumësi i fjalës “illuminatus” që në shqip përkthehet si “i ndriçuari”, dhe është themeluar në vitin 1776 në Bavari nga Adam Weishaupt, dekan i fakultetit të drejtësisë në Universitetin e Ingolstadt. Pra, Iluminati ishin të ndriçuarit. Këta ishin njerëz të edukuar e të zgjuar, që donin liri dhe ndalimin e shtypjes së ideve të tyre. Për ndryshim nga Masonët, Iluminati nuk përbëhej nga njerëz që duhet të ishin patjetër të pasur. Ishte një lëvizje mendimtarësh, përparimtarësh. Ata luftonin për liri të përparimit të shkencës, kundër kishës që krijonte pengesa kur një ide e shihte si të papërputhshme me fenë, kundër udhëheqjes politike që shtypte popullin me qëllim përfitimin personal, për një shoqëri pa paragjykime e supersticion, për të drejtat e grave në jetë në përgjithësi dhe në shkollë në veçanti. Kur flasim për ta duhet të kemi parasysh se këta themelues të kësaj shoqërie në fundin e viteve 1700 mbanin ide që edhe sot konsiderohen përparimtare. Natyrisht që u duhet të ishin shoqëri sekrete. Jo se u pëlqente të thonë fjalëkalime në derë e të vishen me pelerina që mbulojnë identitetin, por se zbulimi nga shteti dhe kisha u rrezikonte jetën atyre dhe familjeve. Në fshehtësi, ata mund të shpërndanin idetë dhe të ndikonin te shoqëria pak nga pak. Në takimet e tyre kishin mundësinë t’i diskutonin këto ide dhe të zgjidhnin më të mirat për t’i përhapur duke hequr dorë nga ato që ose nuk ishin mjaftueshëm të mira, ose nuk do të funksiononin. Këto ide mbaheshin nga shumë persona të zgjuar në Evropën e atëhershme dhe për pasojë organizata u rrit shpejt. Brenda disa viteve, ajo arriti të përfshinte anëtarë nga shtete të ndryshme të Evropës. Por, me rritjen erdhi edhe publiciteti. Nuk është njëlloj si të mbash të fshehtë një organizatë me 4 anëtarë, si një me 2000 anëtarë. Në qershor të vitit 1784, sundimtari i Bavarisë i ndaloi me ligj të gjitha organizatat sekrete, përfshi Iluminatin. Shteti filloi t’i përndiqte anëtarët e Iluminatit, të bastiste shtëpitë e tyre, të merrte libra e dokumente. Weishaupt u detyrua të arratisej. Persekutimi i Iluminatit arriti kulmin në vitin 1787, kur të qenit anëtar i Iluminatit u bë ligjërisht krim i dënueshëm me vdekje. Pas asaj date nuk ka më të dhëna të sigurta. Gjithçka duket fantazi e spekulim.
A ekzistojnë sot? Kushdo mund të hapë një webfaqe e të krijojë një organizatë me atë emër, por nuk do të ishte më e njëjta. Në fakt, sot është absurde të kesh një shoqëri sekrete. Arsyeja e të qenit sekret nuk ekziston. Kisha nuk të përndjek as të djeg dot në turrën e druve. Shumica e shteteve nuk mund të të burgosin se mendon apo thua se një politikan është i korruptuar. Të qenit pro të drejtave të grave të bën feminist, dhe për disa persona mund të mos të të pëlqejnë, por nuk të dënojnë dot për këtë. Të qenit kundër supersticionit dhe paragjykimeve gjithashtu mund të të hapë probleme me ndonjë shok paragjykues a supersticioz, por nuk të futë kush në burg se mendon se Burdushi është gënjeshtar apo se horoskopi është lojë pa pikë vërtetësie. Të punosh për përparimin e shkencës të bën njeri të respektuar edhe pse del ndonjë person antishkencor që të shanë herë pas here. Pra, për të gjitha qëllimet që kishte Iluminati sot mund të luftosh haptas. Në fakt, po nuk e bëre haptas sot s’arrinë dot askënd. Nëse të pëlqen të veshësh pelerinë e të thuash fjalëkalime pas dyerve të miqve të tu, mund ta bësh. Por, a të bën kjo një pasardhës të Iluminatit bavarez?
Referencat:
1. http://www.scientificamerican.com/article/why-do-some-people-believe-in-conspiracy-theories/
2. http://phys.org/news/2012-01-believing-impossible-conspiracy-theories.html
3. http://bigthink.com/think-tank/the-backfire-effect-why-facts-dont-win-arguments
4. http://www.livescience.com/40048-what-is-the-illuminati.html
5. http://www.archive.org/stream/newenglandbavari00stauuoft#page/n5/mode/2up (libri në pdf)