Toka mendohet të jetë krijuar rreth 4,5 miliardë vite më parë. Sipas shumicës së të dhënave, jeta në tokë e organizmave primitivë është paraqitur rreth 3,8 miliardë vite më parë. Madje, ka shkencëtarë që mendojnë se mund të ketë filluar edhe më herët, rreth 4,1 miliardë vite më parë. Ky numër duket i madh kur e thua, por kur e krahason me jetëgjatësinë e gjallesave që jetojnë në Tokë është edhe më befasues. Bakteret moderne kanë gjenerata që variojnë nga 12 minuta në mbi 24 orë. Për shumicën e gjallesave kjo kohë është më e gjatë, por rrallë i kalon 25 vite. Një studim i ri ka treguar se peshkaqeni i Grenlandës nuk ka të vegjël deri në moshën 156 vjeç, por ky është një nga ekstremet. Pra, diku mes 12 minutave dhe 156 viteve, gjallesat në Tokë kanë të vegjël, të cilët lindin plot me mutacione.
Mutacionet paraqiten te të gjitha qelizat, por ato që ndikojnë në evolucion janë mutacionet që ndodhin në qelizat seksuale. Për këtë arsye, secili nga ne është një përzierje e gjeneve nga mami, gjeneve nga babi dhe mutacioneve tona specifike. Pra, qeliza spermë (nga babai) nuk përmban vetëm gjenet e tij, por edhe disa gabime. E njëjta gjë vlen edhe për qelizën vezë (nga nëna). Madje, nga cili prind të vijnë më shumë mutacione (apo cila qelizë kishte më shumë gabime) është e rastësishme, sipas një studimi të vitit 2011. Kështu, secili nga ne është një mutant me rreth 60 mutacione. Shumica e tyre nuk janë të rëndësishëm, disa janë të dëmshëm, e disa të dobishëm. Përveç atyre që janë tepër të dëmshëm, aq sa të bëjnë që individi të vdesë pa pasardhës, të gjithë të tjerët kanë mundësi të përcillen të gjenerata që vjen.
Shumë nga ato mutacione, për një kohë kaq të gjatë, janë favorizuar nga përzgjedhja natyrore sepse ka ndodhur që ato të përshtaten në kontekste të ndryshueshme të ambientit. Kjo provohet edhe sot në shumë raste të evolucionit të llojeve të ndryshme, madje edhe deri në speciacion, të cilat kanë mundur të vrojtohen nga vetë shkencëtarët. Dhe ky evolucion ka ndodhur vetëm në saje të mutacioneve të caktuara që janë përzgjedhur, në mënyrë jo-rastësore, sepse ato mutacione thjesht ka ndodhur që të përshtaten në ambiente të caktuara. Ato mutacione, siç për shembull, në rastin e hardhucave në ishullin Pod Mrcaru, mund të kenë sjellë nofull më të gjerë dhe më të fuqishme, ndryshim të traktit digjestiv në drejtim të mënyrës vegjetariane të të ushqyerit, etj. Nofulla më e gjerë dhe më e fuqishme dhe ndryshimi i shpjeguar i traktit digjestiv, të mundësuar nga mutacionet, iu kanë konvenuar hardhucave, padyshim, sepse ato iu kanë mundësuar atyre hardhucave që të përshtaten, mbijetojnë, të riprodhohen dhe kështu të vazhdojnë llojin e tyre në Ishullin në të cilin ishin bartur mbi 40 vite më parë.
Por, duhet të kemi të qartë se evolucioni nuk varet vetëm nga mutacionet, edhe pse ato janë baza e tij. Nëse një mutacion është i dobishëm, por jo aq i dobishëm sa të bëjë dallimin jetë a vdekje, apo jo aq i dobishëm sa të shtojë në mënyrë të jashtëzakonshme mundësitë për më shumë pasardhës, ai nuk do të përhapet aq shumë. Në rastin e trishtilit, sqepi që copëton farat e forta sigurisht që ka paraqitur një avantazh mbijetese. Në rast mungese apo pakësimi të ushqimeve të tjera, individët që nuk copëtonin dot farat do kenë ngordhur pak nga pak dhe do kenë pasur shumë më pak të vegjël. Kjo do të bënte që pas një kohe të caktuar, të gjithë individët të kenë sqep të tillë. Por, sikur të mos mungonin alternativat ushqimore, sqepi i tillë nuk do të paraqiste ndonjë avantazh. Kështu, nëse nuk paraqiste as problem, ky mutacion mund të ishte bartur për shumë gjenerata, por do të gjendej vetëm te pasardhësit e individit, te i cili është paraqitur fillimisht. Një shembull i tillë është ngjyra blu e syve, e cila megjithëse është bartur nëpër gjenerata, nuk është bërë dominuese sepse nuk paraqet ndonjë avantazh.
Referencat:
1. http://evolution.berkeley.edu/evolibrary/article/evo_16
2. http://www.sciencemag.org/news/2015/10/scientists-may-have-found-earliest-evidence-life-earth
3. http://textbookofbacteriology.net/growth_3.html
4. http://www.sciencemag.org/news/2016/08/greenland-shark-may-live-400-years-smashing-longevity-record
5. http://www.sanger.ac.uk/news/view/2011-06-12-we-are-all-mutants
6. http://www.nature.com/ng/journal/v43/n7/full/ng.862.html