I prezantuar në mënyrë shumë moderne, përmes një postimi në internet, modeli i parë për projektin Vahana ka për qëllim të marrë më të mirat e industrive të ndryshme. Qëllimi i Airbus përmes këtij projekti duket se nuk është thjesht të paraqesë një mjet fluturues, por të ndryshojë konceptin tonë për transportin e së ardhmes. Ajo nuk është një makinë fluturuese sepse nuk ka për qëllim udhëtimin në tokë. Ajo nuk është dron, sepse nuk drejton njeri përmes një aparature vazhdimisht. Ajo nuk është helikopter, megjithëse i ka helikat si një i tillë sepse nuk ka as formën e as fluturimin si helikopter. Por, Vahana nuk është as avion pasi që ajo s’ka nevojë për pistë. Ajo fluturon dhe ulet vertikalisht, por fluturon me ndihmën e dy palë krahëve, një para poshtë dhe një parapa lart, secili me nga katër motorë. Vahana ka vend vetëm për një pasagjer ose për ngarkesë.
Vahana nuk do të përdorë karburante, por do mbështetet në bateri, të cilat po zhvillohen e po përmirësohen vazhdimisht. Kjo e bën atë edhe të përshtatshëm me ambientin. Për dallim nga shumë “makina fluturuese” të paraqitura kohët e fundit, Vahana nuk do të ketë pilot, as brenda saj e as në tokë. Kjo gjë e bën atë të përshtatshëm për këdo, pa pasur nevojë për patenta të veçanta. Ajo do të jetë plotësisht automatike dhe do të fluturojë në rrugë të paracaktuara. Për të evituar përplasjet me pengesa të mundshme apo mjete të tjera fluturuese në rrugën e saj, ajo do të përdorë senzorët e vet të avancuar, të cilët do i vërejnë pengesat dhe do e ndryshojnë drejtimin e fluturimit për t’i kaluar ato. Në rast problemesh me një motor, parashikohet që ajo të mund të vazhdojë fluturimin pa problem. Në rast problemesh më serioze, Vahana do lëshojë një parashutë që do i ndihmojë të ulet pa rrezik, edhe në rast se ndodhet në lartësi jo shumë të mëdha.
Deri më tani, Airbus ka bërë dizajnin, ka krijuar apo gjetur nënsistemet e nevojshme dhe po përgatitet për konstruktimin e plotë. Ata planifikojnë që të kenë një prototip të plotë para fundit të vitit 2017 dhe të fillojë shitjen për konsumatorë në vitin 2020.
Referencat:
1. https://vahana.aero/welcome-to-vahana-edfa689f2b75#.y9fl91suk
2. http://money.cnn.com/2016/10/20/technology/airbus-flying-taxi/index.html?iid=surge-story-summary
3. http://blog.caranddriver.com/not-quite-a-flying-car-but-damn-close-meet-the-airbus-vahana/
4. http://aviationweek.com/commercial-aviation/airbus-reveals-urban-air-transport-projects