Pyetjet e kësaj jave për rubrikën Pyet Pendulum janë shumë interesante dhe me rëndësi. Ato i referohen procesit të evolucionit. Edhe pse evolucioni është një temë që është trajtuar e stërtrajtuar nga çdo portal, asnjë diskutim nuk hynë në detajet e funksionimit pasi që gjithmonë trajtimet bëhen si përballje me ata që nuk e kuptojnë e për pasojë nuk e pranojnë evolucionin.
1-Evolucioni ndodh vetëm si pasojë e seleksionimit natyror të mutacioneve gjenetike të rastësishme që u ndodhin gjallesave apo përveç kësaj ka ndonjë mekanizëm që i shtyn gjallesat se ç'mutacion të kryejnë?
Kur flasim për evolucionin, zakonisht kemi në mendje përzgjedhjen natyrore të mutacioneve. Mutacionet në vetvete nuk janë as të mira e as të këqija. Nganjëherë ndodhin gabime në kodimin e ADN-së dhe në shumicën e rasteve janë fare të parëndësishme. Mutacionet ndodhin kur krijohen qelizat dhe gjatë kopjimit ndodhin gabime të pariparueshme. Gabimet mund të ndodhin në çdo lloj qelize dhe për çdo qelizë të re në trupin tonë ndodhin rreth 120 000 gabime të tilla. Ato paraqesin zëvendësimin e një baze (adeninë, timinë, citozinë, guaninë) me një tjetër ose shtimin a heqjen e një baze. Shumica e këtyre gabimeve riparohen nga vetë qeliza, por disa qeliza nuk arrin t’i riparojë. Kur gabimet e tilla ndodhin në pjesët e gjenomit ndërmjet gjeneve të ndryshme, ato janë plotësisht të parëndësishme. Kur ato ndodhin brenda gjenit, ato mund të çojnë deri te krijimi i një forme tjetër të atij gjeni. Kur ky lloj ndryshimi ndodhë te qelizat seksuale (vezët e spermatozoidet), ai ka aftësinë për t’u përcjellë te gjenerata pasardhëse. Llojet e ndryshme të të njëjtit gjen quhen alele. Disa prej tyre mund të ndryshojnë pamjen apo ndonjë funksion në trupin e pasardhësit, por të mos jenë as të dëmshme e as të dobishme. Të tilla janë alelet e ndryshme për ngjyrën e syve apo grupin e gjakut. Meqë nuk janë të dëmshme, ato nuk zhduken nga popullsia. Meqë nuk janë veçanërisht të dobishme, ato nuk përhapen aq sa të jenë të pranishme te të gjithë njerëzit. Disa ndryshime mund të jenë të dëmshme në një mjedis e të dobishme në një tjetër. Arsyet për paraqitjen e mutacioneve janë të ndryshme: gabimet natyrale (siç u përshkrua më lart), nënshtrimi ndaj kimikateve apo rrezatimit, si efekte anësore të editimit të gjenomit, etj. Ato janë të rastësishme, ndodhin vazhdimisht, për shkaqe të ndryshme dhe pa e pasur fare idenë se cilat do të jenë pasojat e tyre. Si përfundim, mund të themi se nuk ka ndonjë mekanizëm që bën që një mutacion i caktuar të ndodhë dhe se mutacionet përzgjidhen vetëm pasi të kenë ndodhur dhe të kenë treguar pasojat e tyre të dobishme. Sidoqoftë, megjithëse mutacionet janë të rastësishme, përzgjedhja natyrore nuk është e tillë.
2-Cili është përfitimi evolucionar i artit te njeriu? Pse njeriu e pëlqen muzikën, letërsinë e artin në përgjithësi? P.sh. shkenca mund ta pajise njeriun me mjete për të jetuar më mirë, por cili është qëllimi i artit? Ka të bëje me tërheqjen e partnerit, mbase? A ka funksion tjetër?
Përfitimi evolucionar i artit është pak a shumë temë e hapur. Meqë nuk është pasojë e ndonjë instinkti bazë, janë dhënë shumë shpjegime të ndryshme nga njerëz zë fushave të ndryshme. Vetë Darvini e shihte si mënyrë për të tërhequr partnerët, meqë tek zogjtë meshkuj shihet pendla me ngjyra dhe sa më të shumëngjyrshëm që ishin meshkujt aq më shumë mundësi kishin që femrat t’i zgjidhnin për çiftëzim. Por, te njeriu arti dhe bukuria shkon përtej tërheqjes së menjëhershme. Për këtë arsye filozofët, psikologët dhe antropologët kanë ide më pak fizike. Një ide është se mund të lidhet me perceptimin, format e simbolet. Për njeriun, njohja e strukturave, aftësia për të përcaktuar nga larg nëse diçka është në vendin e duhur apo ka strukturën e duhur mund të ketë qenë e vlefshme. Arti mund të jetë krijuar si formë për zhvillimin e aftësive perceptuese, ashtu siç është krijuar sporti për zhvillimin e aftësive luftarake. Neuroshkencëtari Britanik Semir Zeki e ka përshkruar artin si kërkim për “konstanten, të qëndrueshmen, esencialen dhe tiparet e qëndrueshme të objekteve, sipërfaqeve, fytyrave, situatave” (‘the constant, lasting, essential and enduring features of objects, surfaces, faces, situations’). Krijimi i simboleve ka shërbyer për komunikim. Vizatimet e para kanë qenë figura kafshësh që gjuheshin nga gjuetarët primitiv. Aftësia për të vizatuar mund t’i ketë ndihmuar të formojnë një plan për të gjuajtur më lehtë apo për t’u dhënë këshilla gjuetarëve të rinj. Me përsosjen e mendjes, arti i është afruar gjithnjë e më shumë realitetit, deri në një pikë ku arti është bërë pjesë e jona dhe njeriu ka filluar të bëjë art thjesht për kënaqësinë e të parit. Një ide tjetër është se vlerësimi i artit mund të tregojë aftësi mendore dhe tru më të zhvilluar, gjë që do të ndihmonte në fitimin e një pozicioni social apo (përsëri) në tërheqjen e një partnereje/partneri me një nivel më të lartë social apo edhe me tipare më të pëlqyeshme biologjike.
Burime:
1. http://pendulumscimag.weebly.com/biologji/nje-udherrefyes-per-teorine-e-evolucionit
2. http://learn.genetics.utah.edu/content/variation/mutation/
3. http://evolution.berkeley.edu/evolibrary/article/mutations_01
4. http://www.nature.com/nature/journal/v523/n7559/full/523158a.html
5. https://aeon.co/essays/how-did-evolution-shape-the-human-appreciation-of-beauty
6. https://ndpr.nd.edu/news/41600-the-artful-species-aesthetics-art-and-evolution/
7. https://www.youtube.com/watch?v=eM2nT07D9gY
1. http://pendulumscimag.weebly.com/biologji/nje-udherrefyes-per-teorine-e-evolucionit
2. http://learn.genetics.utah.edu/content/variation/mutation/
3. http://evolution.berkeley.edu/evolibrary/article/mutations_01
4. http://www.nature.com/nature/journal/v523/n7559/full/523158a.html
5. https://aeon.co/essays/how-did-evolution-shape-the-human-appreciation-of-beauty
6. https://ndpr.nd.edu/news/41600-the-artful-species-aesthetics-art-and-evolution/
7. https://www.youtube.com/watch?v=eM2nT07D9gY