I quajtur, për tani, Proksima b, planeti i sapozbuluar ka masë sa 1,3 herë ajo e Tokës. Pra, është pak më i madh se Toka, por shumë më afër saj në krahasim me shumë ekzoplanetë të tjerë të zbuluar më parë. Ai është shumë më afër Proksima Centaurit se sa Toka është afër Diellit, por meqë Proksima Centauri është një xhuxh i kuq, ai është më i ftohtë se Dielli dhe prandaj në një distancë të tillë, Proksima b merr 65% të energjisë që Toka merr nga Dielli dhe mund të ketë ujë të lëngshëm. Proksima b ka vit shumë të shkurtër. Një vit atje zgjatë vetëm 11,2 ditë tokësore.
Proksima b ka mundësi të ketë atmosferë e ndoshta edhe jetë. Sidoqoftë, fakti që orbiton një xhuxh të kuq bën që mundësitë të jenë më të vogla, pasi që xhuxhët e kuq kanë shpërthime, të cilat kanë tendencë t’ia heqin atmosferën një planeti afër tyre. Megjithatë, duke qenë se Proksima Centauri është yll relativisht i qetë për një xhuxh të kuq, nëse Proksima b ka fushë magnetike dhe ka arritur të mbajë atmosferë, mundësitë për jetë rriten. Pa atmosferë, temperaturat atje do të ishin -40°C, ndërsa me atmosferë do të ishin më të larta, pasi që atmosfera ruan nxehtësinë. Problem paraqet rrezatimi në formë rrezesh X dhe ultravjollcë, i cili është 100 herë më energjetik se ai që vjen nga Dielli në Tokë. Proksima b gjithashtu ka mundësi të jetë i lidhur me yllin e vet në një kyçje batice siç është Hëna me Tokën, me ç’rast ai do i tregonte Proksima Centaurit vetëm njërën anë gjatë rrotullimit. Kjo do të bënte që temperaturat në dy pjesët e planetit (ku njëra ka gjithmonë ditë, ndërsa tjetra gjithmonë natë) të dallojnë shumë. Një problem tjetër është fakti se shkencëtarët nuk janë të sigurt për përbërjen e planetit. Megjithëse zakonisht planetët e ngjashme me të kanë qenë të ngurta, nuk kemi ende të dhëna që tregojnë për madhësinë e këtij planeti, gjë që do të na jepte informacion për përbërjen e tij. Për më tepër, shkencëtarët nuk janë të sigurt për mënyrën e formimit të tij, ku nëse ai është krijuar nga pluhuri ai do jetë guror, ndërsa nëse është krijuar nga kometat e trupat e tjerë të ngjashëm ka mundësi të jetë ujor. Për informacion më të hollësishëm do të duhet të studiohet në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë tranzitit (kur kalon mes nesh dhe yllit të vet).
Por veçantia e vërtetë e këtij planeti qëndron në faktin se ai orbitën yllin tonë fqinj. Ai ndodhet rreth 4,24 vite drite larg nesh, gjë që do të thotë se mundësitë për studimin e tij janë më të mëdha se për çdo ekzoplanet të zbuluar deri më tani. Edhe pse me teknologjinë e sotme do të na duheshin dhjetëra mijëra vite që një anije kozmike apo një sondë të arrinte deri atje, ekziston mundësia që në një të ardhme të afërt të kemi teknologji që do të arrijë më shpejt. Projekti Starshot i iniciativës Breakthrough planifikon të dërgojë sonda të vogla për studimin e Alfa Centaurit, sistemit binar yjor me të cilin Proksima Centauri është në një sistem tre yjesh, të cilat do të mund të arrijnë atje për një kohë shumë më të shkurtër, rreth 20 vite. Të njëjtat sonda do të mund të vizitonin edhe planetin Proksima b. Nëse atje ka jetë, mundësitë e studimit të saj do të jenë një shtysë e madhe për zhvillimin e shkencës në Tokë, pasi që deri më tani i vetmi lloj jete që njohim është jeta tokësore e bazuar në karbon dhe ujë. Të paktën, autori i parë i artikullit, Guillem Anglada-Escudé, është shumë optimist.
Zbulimi i planetit është bërë duke përdorur spektrografin HARPS në një teleskop 3,6 metrash të Observatorit Evropian të Jugut, i cili gjendet në Kili. Ekzistenca e një planeti në këtë sistem është dyshuar më parë, dhe për këtë, ky grup ndërkombëtar shkencëtarësh vendosën ta studiojnë. Projektin e quajtën “pika e kuqe e zbehtë” dhe ai përfshinte vëzhgimin për 20 minuta gati çdo natë mes 19 janarit dhe 31 marsit, të Proksima Centaurit. Gjatë këtyre vëzhgimeve, ata kërkuan për shenja planeti përreth yllit. Kur rreth një ylli ka një planet, ai e tërheq pak yllin, meqë e zhvendosë qendrën e gravitetit. Megjithëse ylli është zakonisht shumë më i madh se planetët ai nuk e zhvendos dot shumë, por mjafton ta zhvendosë qendrën e gravitetit nga qendra e yllit gjë që bën që ylli të duket sikur po tundet. Kështu, gjatë vëzhgimit ai duket sikur afrohet e largohet nga ne. Këtë ne e vëmë re nga ndryshimi i dritës që vjen nga ylli, e cila kur ylli është duke u larguar bëhet më e kuqe (redshift-i), ndërsa kur është duke u afruar shtyhet drejt blusë (blushift-i). Pra, nëse spektri i yllit ndryshon në mënyrë periodike, rreth tij ka një planet. Frekuenca e ndryshimit na tregon për rrotullimin e planetit. Pra, kur spektri ndryshon dhe kthehet përsëri në gjendjen e mëparshme, planeti ka kryer një rrotullim rreth yllit. Ndërsa informacionin për masën e planetit e marrim nga sa ndryshon spektri. Një planet i madh do të krijojë redshift e blushift të madh. Kjo ndodhë sepse ai e bën yllin të “tundet” më shumë meqë e zhvendosë më shumë qendrën e gravitetit të sistemit yll-planet.
Referencat:
1. http://www.nature.com/nature/journal/v536/n7617/full/nature19106.html
2. http://www.nature.com/news/earth-sized-planet-around-nearby-star-is-astronomy-dream-come-true-1.20445#/b1
3. https://www.facebook.com/PendulumSciMag/photos/pb.1436235476703442.-2207520000.1472065209./1661618557498465/?type=3&theater
4. http://www.sciencemag.org/news/2016/08/earth-planet-found-orbiting-our-nearest-stellar-neighbor?utm_source=newsfromscience&utm_medium=facebook-text&utm_campaign=proxima-6816
5. https://www.theguardian.com/science/2016/aug/24/earth-like-planet-found-orbiting-our-suns-nearest-star-raises-hopes-for-life-proxima-b?utm_term=Autofeed&CMP=fb_a-science_b-gdnscience#link_time=1472058479