Europa është një nga 67 hënat e Jupiterit. Ajo mendohet se ka një rezervuar jashtëzakonisht të madh uji, i cili mendohet të jetë sa dy herë sasia e ujit në oqeanet e Tokës. Ky ujë mbulon të gjithë sipërfaqen e hënës Europa, në formën e një oqeani global. Sidoqoftë, mbi të gjendet një shtresë akulli të fortë e të ftohtë, trashësinë e të cilit shkencëtarët nuk e dinë ende. Uji poshtë kësaj shtrese mendohet se mbahet i lëngët nga aktiviteti gjeologjik në qendrën e hënës Europa, i cili e ngrohë nga poshtë.
Në Tokë, zonat ku ka shpërthime nxehtësie nga thellësitë e tokës në oqean janë zona ku ka jetë. Hëna Europa është një kandidate për të pasur plot zona të tilla. Kjo do të thotë se ajo mund të ketë jetë, ose të paktën, mund të jetë e përshtatshme për jetë nën ujë. Mundësitë për zbulime astrobiologjike atje janë të mëdha. Shtresa e akullit paraqet problem, pasi që ajo do të duhet të përshkohej për të arritur te uji dhe kjo do të kërkonte shumë më shumë pajisje. Për këtë arsye, mundësia e shpërthimeve nga sipërfaqja të shtëllungave të avujve të ujit është shumë e rëndësishme.
Shkencëtarët e NASA-s i kanë vërejtur për herë të parë avujt nga hëna Europa në vitin 2012. Tani, duke përdorur një metodë tjetër, grupi i udhëhequr nga William Sparks ka vëzhguar këta shpërthime duke përdorur teleskopin Hubble. Grupi kishte për qëllim studimin e atmosferës së mundshme të hënës Europa. Ata do e bënin këtë duke përdorur teleskopin Hubble për të vëzhguar kalimin e hënës Europa mes nesh e Jupiterit. Në këtë mënyrë, kur kjo hënë do kalonte para Jupiterit, ajo do të krijonte një lloj efekti hijeje duke ndaluar shkëlqimin e Jupiterit në zonën pas vetes (pra duke krijuar një lloj eklipsi). Me këtë rast, ata vendosën të kërkojnë edhe për shpërthimet e avujve të ujit. Gjatë 15 muajve, ata ishin në gjendje të vëzhgonin praninë e këtyre shtëllungave avulli në tre raste. Shpërthimet arrinin lartësi deri në rreth 200 kilometra, para se materia e tyre të binte si shi në sipërfaqe. Grupi që kishte raportuar për to në vitin 2012 kishte përcaktuar se këto shpërthime ishin rreth 160 kilometra. Pra, shpërthimet ishin të përafërta në distancë nga sipërfaqja sipas të dy metodave. Arritja e të njëjtit rezultat me metoda të ndryshme është shumë e rëndësishme në shkencë, pasi që i rritë mundësitë që rezultati të jetë i saktë. Sidoqoftë, ende nuk ka pasur ndonjë rast në të cilin të dy grupet duke përdorur metoda të ndryshme të kenë vëzhguar të njëjtin shpërthim avulli. |
NASA do të dërgojë një mision në hënën Europa, i cili pritet të niset në vitet e 2020-a. Ky mision do të vërtetojë njëherë e mirë nëse ky oqean ekziston dhe nëse këto shtëllunga avulli janë vërtetë ashtu siç duken. Nëse ato janë të vërteta, anija kozmike e misionit do të mund të mbledhë një sasi uji nga hëna Europa, pa pasur nevojë të ulet në të apo të hapë vrima në akullin sipërfaqësor. Për më tepër, ekziston mundësia që në këta avuj uji të zbulohen molekula organike apo edhe materie biologjike, të cilat do të na jepnin informacion jete.
Referencat:
1. http://www.nasa.gov/press-release/nasa-s-hubble-spots-possible-water-plumes-erupting-on-jupiters-moon-europa
2. http://www.space.com/34205-europa-orbiter-could-study-moons-plumes.html
3. http://home.dtm.ciw.edu/users/sheppard/satellites/jupsatdata.html