Siç u lajmërua dje, NASA ka bërë të ditur zbulimin e një planeti të ri jashtë Sistemit Diellor (ekzoplanet). Po ç’rëndësi ka për ne ky zbulim? Si dhe pse u zbulua? A ka të tjerë të ngjashëm dhe ku ndryshon ky planet nga të tjerët?
Misioni Kepler i NASA-s ka për qëllim mbledhjen e informacionit rreth sistemeve planetare: sa planetë kanë yjet, ç’përmasa kanë ata planetë; sa janë në zonën e banueshme* dhe sa prej tyre janë planetë shkëmborë; ç’forma kanë orbitat e planetëve te ndryshëm; si janë orbitat reflektivitetet, përmasat, masat e densitetet e planetëve gjigantë me periodë të shkurtër; të zbulojë planetë të tjerë në sistemet tashmë të njohura planetare; dhe të përcaktojë karakteristikat e yjeve që kanë planetë. Pa dyshim, duke mësuar për sisteme planetare që orbitojnë yje të moshave te ndryshme, mësojmë më shumë për të ardhmen që e pret planetin tonë. Për të arritur këtë, Kepler monitoron mbi 160 000 yje. Planetët që i orbitojnë këto yje zbulohen duke përdorur metodën e quajtur “transit”. Gjatë vëzhgimit të vazhdueshëm, një rënie në ndriçimin e yllit do të vihet re kur planeti kalon para yllit (dhe një rënie me e vogël kur kalon pas tij) në krahasim me pikën e vëzhgimit. Kjo ndodhë sepse kur planeti kalon para yllit ne shohim ndriçimin e yllit dhe hijen e planetit që së bashku japin një ndriçim më të vogël; kur planeti kalon pas yllit ne shohim vetëm ndriçimin e yllit që është më i madh se kur një pjesë e yllit na zihet nga planeti; ndërsa kur planeti është anash yllit, drita që arrin tek ne është ajo e ndriçimit të yllit dhe ajo e shkëlqimit të planetit që së bashku na japin më shumë dritë.
Planetët e shumtë të zbuluar deri më tani mund të kategorizohen në tre lloje: gjigantë të gaztë, super-Toka të nxehta që orbitojnë me periodë të shkurtër dhe gjigantë të akullt. Kepler kërkon një lloj të katërt, një që përfshinë planetët që i përngjajnë Tokës, pra që janë shkëmborë dhe kanë madhësi mes gjysmës së asaj të Tokës dhe dy herë asaj të Tokës. Më të rëndësishmet nga këto, për ne, janë planetët që gjenden brenda zonës së banueshme. Që kur teleskopi Kepler ka filluar punën në vitin 2009, ai ka zbuluar jo pak të tilla. Kepler ka mbledhur të dhëna për 4 696 planetë të mundshëm, 1 030 nga të cilët janë konfirmuar të jenë planetë. Nga këta, 10-15 planetë kanë diametër mes gjysmë Toke dhe dy Tokash. Duke qenë në zonën e banueshme, këta planetë janë kandidatë për jetë jashtëtokësore. Kjo nuk do të thotë se ata kanë jetë, por se i kanë kushtet për të pasur jetë. Përveç tjerash, planetët e tillë ofrojnë një ëndërr si për ata që ëndërrojnë një zbulim jete jashtëtokësore, edhe për ata që ëndërrojnë për një racë njerëzore që kolonizon galaktikën; si për ata që duan shkencën, edhe për ata që duan fanta-shkencën.
Tani, 20 vite pas zbulimit të parë të një ekzoplaneti, është zbuluar Kepler-452b. Ky është më i ngjashëm me Tokën se çdo planet i zbuluar më parë. Planetët si Kepler-186f dhe Kepler-62f, që janë konsideruar më të ngjashmit me Tokën para zbulimit të fundit, orbitojnë yje më të vegjël dhe më të ftohtë. Planetët Kepler-69c dhe Kepler-22c (me përmasa sa 2.4 herë Toka) janë shumë më të mëdhenj dhe për pasojë nuk dihet nëse janë shkëmbor apo të gaztë. Për ndrzshim nga këta, Kepler-452b duket se i përngjanë më shumë Tokës. Ai ka përmasa 60% më të mëdha se Toka (sa 1.6 herë Toka), gjë që jep shpresë që të jetë shkëmbor. Rrotullohet rreth yllit të vet për 385 ditë (20 ditë më gjatë se Toka) dhe është 5% më larg yllit të vet se Toka larg Diellit. Edhe ylli i tij i ngjanë tonit duke qenë vetëm 10% më i madh, 20% më i ndritshëm dhe duke patur të njëjtën temperaturë. Ai është gjithashtu rreth 1.5 miliardë vite më i vjetër se Dielli.
Ata që do të dëshironin ta vizitonin apo të prisnin vizitorë nga Kepler-452b do të mbeten pak të zhgënjyer, meqë nuk duket sikur jemi afër një mënyre për të udhëtuar 1 400 vite drite larg Tokës, atje ku ndodhet ky planet, dhe nuk do të jemi as në të ardhmen e afërt... dhe po pati civilizim atje, ata nuk duket sikur do arrijnë në Tokë gjatë jetës sonë.
*zona e banueshme është zona në të cilën gjenden planetë në të cilët uji ekziston në gjendje të lëngët.
Burime:
1. http://www.nasa.gov/mission_pages/kepler/overview/index.html
2. http://keplerscience.arc.nasa.gov/
3. http://www.nasa.gov/jpl/finding-another-earth
4. http://www.nasa.gov/jpl/finding-another-earth
5. http://www.nasa.gov/press-release/nasa-kepler-mission-discovers-bigger-older-cousin-to-earth