Spektrometri na tregon se si duket spektri i dritës së pasqyruar nga një sipërfaqe. Nga pjesët e munguara të spektrit mund të zbulojmë përbërjen e sipërfaqes që e pasqyron dritën. Nga spektrat e mbledhur për Marsin, shkencëtarët kanë vërejtur se pjesë të caktuara të spektrit janë absorbuar. Pra, si çdo material, edhe komponimet në sipërfaqen e Marsit kanë thithur një pjesë të dritës që ka rënë mbi to dhe kanë pasqyruar pjesën e mbetur. Për të zbuluar se për cilat komponime bëhet fjalë, ata e kanë krahasuar spektrin nga Marsi me spektrat e krijuar në laborator për substanca të ndryshme. Nga kjo ata kanë zbuluar se në sipërfaqen e Marsit gjenden kripëra të hidratuara: perklorat magnezi, klorat magnezi dhe perklorat natriumi. Arsyeja pse ky zbulim është i rëndësishëm qëndron në faktin se kripërat në fjalë janë paraqitur të hidratuara, gjë që do të thotë se në sipërfaqen e Marsit, bashkë me to, rrjedh edhe ujë.
Shkencëtarët edhe më parë kanë pasur të dhëna për ujë në Mars, por bëhej fjalë për akull të gjendur nën sipërfaqen me pluhur të kuq në akullnaja me mjaftueshëm ujë për të mbuluar të gjithë planetin. Gjithashtu, shkencëtarët ishin në dijeni se Marsi në të kaluarën ka pasur ujë, madje më shumë se oqeani Arktik. Por, zbulimi i deklaruar sot tregon për ujë të lëngshëm që ndodhet tani në Mars, dhe kjo përbën një nga zbulimet më të mëdha të kohëve të fundit.
1. http://www.nasa.gov/press-release/nasa-confirms-evidence-that-liquid-water-flows-on-today-s-mars
2. https://www.youtube.com/watch?v=D0xOygic_r0
3. http://astronomy.com/news/2015/04/mars-has-belts-of-glaciers-consisting-of-frozen-water
4. https://www.nasa.gov/press/2015/march/nasa-research-suggests-mars-once-had-more-water-than-earth-s-arctic-ocean