Specia e re e gjinisë Homo duket se ka patur karakteristika të njeriut modern, por edhe të majmunëve. H. Naledi kanë qenë rreth 1.5 metra të gjatë, të hollë, me këmbë të gjata e gati si ato të njeriut, ku gishti i madh është afër gishtave të tjerë dhe jo i ndarë. Ata duhet të kenë qenë të aftë për të vrapuar mirë. Kyçet e duarve gjithashtu kanë ngjarë me tonat, kanë qenë të forta, gjë që ka bërë që forca të shpërndahej në një sipërfaqe më të madhe se te njerëzit primitivë. Gishtat e tyre ishin të gjatë dhe të lakuar, dhe gishti i madh ka qenë mjaft i çuditshëm. Nga forma e duarve shkencëtarët thonë se ata kanë jetuar, të paktën për një pjesë të madhe të kohës, duke u ngjitur nëpër pemë, ku gjithashtu ndiheshin po aq rehat sa në tokë. Kokat e tyre janë të rrumbullakuara, si ato të njerëzve, por kanë shumë më pak vend për trurin, gjë që tregon se nuk kanë qenë shumë të zgjuar, por do të kenë qenë të aftë të krijojnë vegla. Dhëmbët e tyre të parë kanë qenë të vegjël si ata të njerëzve modernë, por dhëmballët kanë qenë më të mëdha, si ato të paraardhësve të njerëzve. Kjo i ka çuditur shkencëtarët në fillim, aq sa filluan të mendojnë se mos ka përzierje të fosileve të specieve të ndryshme, por me zbulimin e më shumë fosileve janë bindur se në fakt këta dhëmbë e dhëmballë u përkisnin të njëjtave nofulla.
Në shpellë, përveç ca minjve dhe një bufi, nuk janë gjendur kafshë të tjera, gjë që tregon se nuk janë sjellë aty nga kafshët. Një ide është se mund të jenë vrarë e varrosur nga specie tjetër, më e avancuar njerëzish (ndoshta specia jonë). Një tjetër ide është se mund të kenë hyrë në shpellë dhe të mos kenë qenë në gjendje të dalin.
H. Naledi është zbuluar në shpellën “Ylli në ngritje” afër Johanesburgut në Afrikën e Jugut dhe është një projekt, i cili fillimisht është parë me sy dyshues nga shumica e paleontologëve. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e faktit se Berger ka kërkuar ndihmës dhe fonde haptas në media, gjë që e ka bërë të duket si trik publicitar. Berger madje është mbiquajtur edhe paleodemokrat, meqë ka mbledhur rreth vetes një ekip të madh paleontologësh të rinj dhe studentësh. Sot, ai ka treguar se përqeshjet ndaj tij ishin të pabazuara, duke publikuar artikullin mbi numrin më të madh të fosileve të publikuar ndonjëherë. Për H. Nalendi ai nuk sjell vetëm një dhëmb apo një nofull, por një numër të jashtëzakonshëm fosilesh, plot 1550. Dhe sipas grupit të tij shkencor, në shpellë ka ende fosile të pambledhura.
Në pemën evolutive mendohet të jenë “lidhje e munguar” në mes Australopithecus dhe Homo, edhe pse në disa karakteristika H. Naledi duken më afër njerëzve modernë se H. Erectus, sipas shpjegimit të Berger për National Geographics. Ka ende mospajtime dhe nuk ka të dhëna të mjaftueshme që të mund te klasifikohet përfundimisht si specie e re. Mund të jetë thjesht një variacion i Homo Erectus për të cilin tashmë jemi të mirëinformuar. Është e qartë se i përket gjnisë Homo, por për të tjerat do të duhet më shumë studim.
1. http://elifesciences.org/content/4/e09560
2. http://news.sciencemag.org/archaeology/2015/09/new-human-species-discovered
3. http://news.nationalgeographic.com/2015/09/150910-human-evolution-change/?utm_source=Facebook&utm_medium=Social&utm_content=link_fb20150910news-bergerdiscovery&utm_campaign=Content&sf12951584=1