Çështja e fillimit të jetës në Tokë mbetet një nga misteret më të mëdha, me të cilat janë ballafaquar shkencëtarët. Dihet se entiteti në fillimin e jetës në Tokë duhet të ketë pasur aftësi replikuese, por ADN-ja nuk mund të ketë qenë ajo molekulë. Kjo për arsye se është shumë e ndërlikuar dhe për replikimin e saj ajo varet nga prodhimi i një enzimi specifik, prodhimi i të cilit gjithashtu varet nga vetë ADN-ja. Pra, kemi të bëjmë me varësi të dyanshme të këtij enzimi dhe ADN-së. Në anën tjetër, evolucioni është një proces që ka shkuar hap pas hapi dhe nuk është e logjikshme të mendohet se edhe ADN-ja dhe enzimi dolën në skenë befas dhe në të njëjtën kohë. Për këto arsye kandidati më i mirë për këtë, sipas shkencëtarëve, ishte ndonjë formë e ARN-së primitive. Kjo edhe për faktin se ARN është shumë më e thjeshtë dhe nuk ka nevojë për enzimin specifik për t'u dyfishuar.
Shumë eksperimente janë bërë që kohë më parë. Një nga ata është edhe eksperimenti me të cilin është arritur krijimi i ARN ribozom polimerazës, e aftë për të dyfishuar e për transkriptuar ARN-në. Ekipi shkencor filloi të punojë me një enzim të vjetër të zhvilluar e përpunuar nga shkencëtarët që në vitin 1990. Por, problemi me këtë enzim ishte se kishte disa kufizime që kishin për pasojë pamundësinë e enzimit që të transkriptojë, e si rezultat i kësaj, edhe të replikojë ARN-në. Në studimin e ri, shkencëtarët kanë përdorur teknikat "test-tube evolution". Ata kanë shtuar disa mutacione në enzim duke krijuar një populacion prej 100 trilionë varianteve të ndryshme. Duke imituar procesin e evolucionit me përzgjedhjen natyrore, shkencëtarët kanë izoluar variantin më të mirë me aftësi transkriptuese dhe replikuese.
David P. Horning, një nga pjesëmarrësit në studim, shprehet kështu në deklaratën për shtyp të Institutit Kërkimor Scripps: “Përzgjedhja (seleksionimi) është bazuar në aftësinë e ARN-ve të reja të krijuara që të funksionojnë duke u lidhur për shënjestrat e tyre. Që të jetë e mundur për t'i krijuar këto ARN, ribozomi është dashur që të evoluojë që të mund të përshtatet në terme të sekuencës dhe strukturës së ARN-së që ka mundur ta përballojë.”
Performuesi më i mirë pas disa cikleve të përzgjedhjes, ribozom polimeraza 24-3, u provua si e aftë që jo vetëm të sintetizojë dy shenja për t'u lidhur të ARN-ve, por edhe të sintetizojë ARN strukturalisht të ndërlikuara që ekzistojnë në natyrë (mbetje funksionale nga bota e lashtë e ARN-së), duke përfshirë edhe një version të "transfer ARN" që është prezente në qelizat e tharmit
Referenca:
1. http://www.pnas.org/content/early/2016/08/10/1610103113
2.http://www.sciencemag.org/news/2016/08/newly-made-rna-strand-bolsters-ideas-about-how-life-earth-began?utm_source=6&utm_medium=social&utm_campaign=AAAS---The-American-Association-for-the-Advancement-of-Science-%28AAAS.Science%29&utm_term=gbyehuda&utm_content=AAAS
3. http://www.scripps.edu/news/press/2016/20160815joyce.html