Një artikull i publikuar vitin e kaluar nga shkencëtarët kinezë ka ndezur debate për implikimet etike të modifikimit gjenetik të embrioneve njerëzore. Për disa, kjo paraqet hapat e parë për krijimin e bebeve e dizajnuara sipas dëshirës. Për shkencëtarët, studimi dhe modifikimi i tillë paraqet një mundësi të mirë për të mësuar se si funksionojnë gjenet në etapat e para të zhvillimit të njeriut dhe, ndoshta në të ardhmen, parandalimin e sëmundjeve gjenetike që në fillimin e zhvillimit të embrionit. Gjithashtu, modifikimet e tilla do të ndihmonin çiftet të arrijnë më lehtë të kenë fëmijë përmes fertilizimit in vitro (IVF).
Niakan ka studiuar edhe më parë embrionet njerëzore, por përdorimi i CRISPR/Cas9 do i mundësojë përdorimin e më pak embrioneve për marrjen e të njëjtit informacion. Ajo përdorë vezët e fertilizuara në klinika fertilizimi dhe të dhuruara për kërkim shkencor, të cilat nuk janë të destinuara për t’u lindur. Ajo studion kalimin e tyre në blastocista, ku këto grupe të vogla qelizash janë të afta për t’u ngjitur në mitër kur janë rreth 5 ditësh. Ato përbëhen nga disa lloje qelizash: qeliza që do bëhen fetus, qeliza që do bëhen placentë dhe qeliza që shërbejnë për qëllime të tjera në zhvillimin e embrionit.
Një nga ndryshimet që Niakan ka për qëllim të bëjë në embrione ka të bëjë me heqjen e gjenit OCT4. Në eksperimentet me minj, ky gjen është parë të jetë funksional në qeliza staminale dhe e njëjta gjë ndodhë edhe te njerëzit. Mendohet se ky gjen ndihmon në krijimin e qelizave që mund të transformohen në çdo lloj tjetër qelize. Ky gjen do të hiqej kur embrioni do të ishte një ditësh. Bazuar në eksperimentet me minj, pritet që embrionet të vazhdojnë të zhvillohen, por pa këto lloj qelizash. Pas këtij eksperimenti, Niakan do të vazhdojë me ndryshimin e gjeneve të tjera, të cilat janë të veçanta për njerëzit e nuk mund të studiohen në kafshë të tjera. Embrionet e modifikuara, pasi të studiohen, shkatërrohen kur janë shtatë ditësh.
1. http://www.sciencemag.org/news/2016/02/uk-researcher-receives-permission-edit-genes-human-embryos?utm_source=newsfromscience&utm_medium=facebook-text&utm_campaign=britishgenes-2161
2. http://www.sciencemag.org/news/2016/01/uk-researcher-details-proposal-crispr-editing-human-embryos
3. http://www.nature.com/news/chinese-scientists-genetically-modify-human-embryos-1.17378