Paleontologjia nuk ndalet dot së dëshmuari teorinë e evolucionit, duke gjetur çdo ditë e më shumë fosile të tjera të reja kalimtare të kategorive të ndryshme sistematike të shtazëve, që lidhin për nga zanafilla dhe evolucioni, kafshë të një kategorie tjetër sistematike me një tjetër. Kështu, paleontologjia është një disiplinë e cila krahas gjenetikës, anatomisë krahasuese, embriologjisë, shpërndarjes gjeografike, etj, ofron dëshmi të mëdha në favor të teorisë së evolucionit të propozuar nga Darwin-i para 150 viteve. Pas fosilit tashmë të emëruar si "Zhenyuanlong suni" i cili po konsiderohet si fosil i një specie ndërlidhëse në kuptimin evolutiv, në mes të dinozaurëve dhe shpendëve, pra, fosil kalimtar, është gjetur dhe nje fosil tjetër i tillë, por kësaj radhe i një gjallese që ndërlidhë zvarranikët e tokës me gjarpërinjtë, pra, një fosil kalimtar në mes të zvarranikëve të tokës dhe gjarpërinjve. Zbulimet e mëparshme të fosileve të gjarpërinjve me dy këmbë kanë hedhur dritë mbi tranzicionin e zvarranikëve në gjarpërinj, thonë shkencëtarët, por asnjëherë më parë nuk kemi hasur në një fosil kalimtar të ndonjë gjarpri me katër këmbë. Pikërisht i tillë është fosili i gjetur ditëve të fundit, i emëruar si: Tetrapodophis amplectus. Sipas shkencëtarëve, gjallesa e fosilizuar me formë gjarpri ka planin e ndërtimit të një gjarpri, trung të gjatë, bisht të shkurtër dhe ndërtim të tillë që i mundësonte një lokomocion gjarpëror, por që megjithatë kishte gjymtyrë (katër gjymtyrë) që mund të kenë qenë të specializuara për të kapur prenë, por gjymtyrë që megjithatë nuk mund të shërbenin edhe për të ecur, meqë gjymtyrët Tetrapodophis amplectus duket të kenë humbur aftësinë për këtë funksion, me çka mund të thuhet se kishte gjymtyrë rudimentarë. Shkencëtarët gjithashtu thonë se fosili i Tetrapodophis amplectus tregon se sipas të gjitha gjasave, duke u bazuar edhe në disa tipare të tjera, gjarpërinjtë kanë evoluar nga zvarranikët tokësorë, e jo nga ata ujorë siç është menduar më herët.
0 Comments
Shumë është mësuar që nga koha e Darwin-it edhe për zanafillën dhe evolucionin e zogjëve. Zogjët kanë evoluar nga specie të caktuara të dinosaurëve. Këtë e konfirmon dhe paleontologjia, shkenca për studimin e fosileve. Fosili më i famshëm intermedier (kalimtar) që dokumenton kalimin e evoluimin e zogjëve nga disosaurët është edhe zogu Archaeopteryx, (i zhdukur tashmë) një fosil për të cilin tashmë dihet se ka mundur të fluturojë, por fosil i cili dëshmon të jetë intermedier midis dinosaurëve, për shkak të zotërimit të tipareve të përziera; zotëronte edhe tipare të dinosaurëve edhe të zogjëve modern (kishte krahët e zogjëve modern e gjithashtu edhe disa tipare të tjera te zogjëve, kurse nga tiparet e dinosaurëve kishte kafkën, kishte dhëmbe, kishte bisht të gjatë ashtëror e poashtu edhe ekstremitet e gjymtyrëve si ato të dinosaurëve, etj, tipare këto të cilat, poashtu, nuk i gjejmë në zogjët modern). Por ,paleontologjia në dokumentimin e fosileve intermediere/kalimtare midis dinosaurëve dhe zogjëve, nuk kufizohet vetëm tek Archaeopteryx. Me kalimin e kohës janë gjetur edhe shumë fosile të tjera më të vjetra se Archaeopteryx po edhe të fosileve të zogjëve që kanë jetuar pas Archaeopteryx-it e të cilat dukshëm tregojnë për një evolucion më progresiv drejt zogjëve modern (reduktimi i dhëmbëve, reduktimi dhe largimi i bishtit të gjatë ashtëror etj, tipare këto që zotëronte Archaeopteryx e të cilat ishin edhe tipare të dinosaurëve). I njëjtë, pra fosil intermedier, është dhe ky i gjetur ditëve të fundit edhe pse mund t'i takojë një vije tjetër evolutive, tashmë i emëruar si: Zhenyuanlong suni. Sipas ekspertëve, Junchang Lu nga Akademia e shkencave gjeologjike në Bejjing dhe Stephen Brusatte nga Universiteti i Edinburgh në Mbretërinë e Bashkuar, Zhenyuanlong suni, sipas gjitha gjasave, nuk mund të fluturonte për shkak se kishte gjymtyrë shumë të shkurtëra edhe pse të mbuluara me pendla të mëdha, me cfarë mund të konstatohet se ishte i pajisur, pra, me krahë dhe kishte peshë të madhe. Megjithatë, sipas ekspertëve, sipas gjitha gjasave, krahët edhe pse nuk mund të shërbenin në funksion të fluturimit, ato shërbenin për funksione për qëllime të tjera si për të tërhequr individë të seksit të kundërt ashtu siç është rasti me disa specie që jetojnë sot, ose edhe për t'u mundësuar shmangiet nga përplasjet me tokën gjatë kërcimit nga distanca më të larta. Një hipotezë e propozuar nga ekspertët në lidhje me evolucionin e saj, është se krahët e Zhenyuanlong suni mund të kenë evoluar nga paraardhës me krahë që mund të fluturonin, ngjashëm si me disa specie të sotme të zogjëve me krahë rudimentarë, por që kanë humbur aftësinë për të fluturuar, e të cilët kanë evoluar nga zogjë paraardhës qe fluturonin.
Së pari, fjala evolucion do të thotë ndryshim. Në aspektin biologjik apo në kuptim të evolucionit biologjik, do të thotë ndryshim në çdo tipar të trashëgueshëm që kalon ose përcillet nga prindi në pasardhës. Evolucioni si ide ka ekzistuar shumë më herët, qysh nga koha e grekëve te Lashtë, mirëpo i vetmi meritor për themelimin e një teorie për evolucionin është Charles Darwin, i cili në bazë të hulumtimeve të shumta dha shumë shpjegime të detajuara, e ç'është më e rëndësishmja, propozoi e dha edhe mekanizmin kryesor bashkë me disa mekanizma të tjerë, me anë të së cilëve operon evolucioni, e ai mekanizëm eshte "përzgjedhja natyrore". Para se të tregojmë se çfarë nënkuptojmë me përzgjedhje natyrore, së pari është me rëndësi të sqarojmë se teoria e evolucionit nuk ka lidhje, pra nuk ka asgjë të bëjë me çështjen e origjinës së jetës e as abiogjenezën si hipotezë të propozuar nga shkencëtarët si shpjegim në lidhje me atë se si ka filluar jeta në planetin Tokë. Pra, çështja e origjinës së jetës dhe teoria e evolucionit jane dy tema të veçanta në vehte, të ndara nga njëra-tjetra dhe nuk kanë asgjë lidhje me njëra-tjetrën. Përderisa abiogjeneza mëton të shpjegojë se si ka filluar jeta në Tokë, teoria e evolucionit mëton, shpjegon dhe mirret vetëm me çështjen e origjinës së gjallesave, ose më saktësisht, specieve, të diversitetit e kompleksitetit te jetës/organizmave, e jo me çështjen e origjinës së jetës. Çfarë nënkuptojmë me "përzgjedhje natyrore"? Me përzgjedhjen natyrore nënkuptojmë seleksionimin apo përzgjedhjen e tipareve të caktuara të individëve brenda një lloji/specieje, tipare të cilat i ndihmojnë ata organizma të mbijetojnë në një ambient apo kontekst të caktuar të ambientit me kushte të caktuara si kërkesa për mbijetesë. Kështu, ata individë brenda llojit të cilët kanë tiparet e kërkuara, me fjalë të tjera, që kanë tiparet e nevojshme qe ua mundesojnë të mbijetojnë në atë ambient të caktuar, mbijetojnë, riprodhohen dhe nëpërmjet kësaj bartin tiparet e cilësitë e tyre ne pasardhës, kurse ata individë brenda llojit që nuk i kanë ato tipare të nevojshme, vdesin e zhduken (Eshtë llogaritur se rreth 99.9% të të gjitha specieve që kanë jetuar që nga fillimi i jetës në Tokë, janë zhdukur. Po si mundësohet përzgjedhja nga seleksionimi natyror? Dihet se as individët brenda llojit nuk janë të njëjtë, d.m.th ekziston ndryshueshmeri apo variabilitet brenda llojit. Variabiliteti ofron material të mirë përzgjedhës për seleksionimin natyror. Si shkaktohet ky variabilitet? Shkurt, ky së pari mundësohet nëpërmjet mejozes gjatë shndërrimit të qelizave somatike-trupore diploide në qeliza seksuale haploide, ku gjatë mejozes ndodh një proces I cili quhet "Crossingover" me ç'rast kromozomet shkembejnë gjenet (bëhet rekombinimi gjeneve) në mes vehte, duke bërë rekombinim, dhe duke berë që pasardhësit të mos lindin identikë me prindërit por me tipare ndryshe. E dyta, kjo mundësohet edhe pas bashkimit te qelizës vezë me spermatozoidin. Kështu, pasi pasardhësit lindin ndryshe nga prindërit dhe ata pasardhës që lindin janë ndryshe edhe nga njëri- tjetri po për të njejten arsye (rekombinimit të gjeneve), atëherë seleksionimi natyror përzgjedhë ata pasardhës që kanë tiparet e nevojshme për mbijetesë e duke zhdukur ata që nuk kanë këto tipare. Mutacionet poashtu janë material I mirë përzgjedhës për përzgjedhjen natyrore. Mutacionet janë ndryshime që ndodhin në kodin gjenetik të një organizmi. Edhe pse shumica e tyre janë të parëndësishme e një pjesë janë të dëmshme, ka shumë sosh që janë shumë të dobishme dhe seleksionimi natyror përzgjedhë me to duke u mundësuar organizmave fitimin e tipareve, karakterisitkave të reja më të dukshme e të mëdha, që i mundësojnë organizmave të përshtaten. Një tjetër gjë që ka nevojë të shpjegohet: Evolucioni nuk është rastësi, mutacionet janë rastësore. Evolucioni është përzgjedhje jorastësore ose jo e rastësishme e ndryshimeve dhe mutacioneve rastësore, ashtu siç besoj u la të kuptohet edhe në shpjegimet më lart. Kështu, nëpërmjet ndryshimeve te përzgjedhura që akumulohen gjatë kohës, evolucioni gdhend, skalpon organizmat duke u dhënë formë te ndryshme, formën apo format, sjelljen dhe mënyren e jetesës qe shohim tek organizmat e gjallë, sot. Në këtë menyrë pra, përgjatë miliona viteve, evolucioni ka mundësuar këtë kompleksitet e diversitet madhështor të ndryshëm të përqëndruar në një numër shumë të madh të specieve nga më të ndryshmet, që kanë ekzistuar në të kaluarën e qe ekzistojnë në planetin tonë. Nëpërmjet evolucionit, tregohet se të gjitha gjallesat rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët e shpjegohet pra, origjina e specieve. Faktet për këtë janë distribuimi gjeografik, gjenetika, embriologjia, paleontologjia, anatomia krahasuese e specieve, etj. |
ArKIVAT
August 2016
KATEGORITË
All
|