Hormonet, siç dihet, janë substanca aktive kimike me aktivitetin e të cilave mundësohet funksionimi normal i organizmave. Ata stimulojnë zhvillimin e funksioneve të caktuara, si p.sh, kur në kohë të caktuar, hormone të caktuara aktivizohen duke dhënë sinjal për fillimin e pjekurisë seksuale tek njeriu po edhe kafshët e tjera, për prodhimin e gameteve apo qelizave seksuale, etj. Mungesa e hormoneve dhe mosaktivizimi i tyre, edhe atë ne kohë të duhur, ka padyshim pasoja në organizëm, duke pamundësuar zhvillimin e organizmit, ose zhvillimin normal të tij.
Një nga hormonet, e që është përgjegjës për atë se sa njeriu është bashkëpunues, është edhe hormoni serotonin, mungesa e të cilit shkakton edhe ankthe, depresion, e bën njeriun më pak social, më pak komunikues e më shume grindavec. Gjithashtu, hormoni serotonin ndikon edhe në lidhjet intime tek njerëzit. Kështu, kur disa femrave dhe meshkujve u është dhënë triptofan, e cila është një substancë që nxitë serotonin-in, ata kishin më shumë gjasa që t'i shihnin fotot e një çifti si romantike, se sa njerëzit që nuk u ishte dhënë triptofan.
Por, njeriu nuk është i vetmi tek i cili mungesa e hormonit serotonin ndikon në uljen e shkallës së bashkëpunimit e të të qenit social. Tani kemi edhe shembullin e specieve të organizmave të tjerë, siç është, për shembull, një lloj i peshkut, i cili njihet si peshku "pastrues". Ky peshk formon lidhje me një specie tjetër të peshqve me të cilin nuk ka ndonjë lidhje të afërt në aspektin evolutiv, e që mund të konsiderohet ndryshe edhe si lidhje me klientë.
Peshku "pastrues" pastron trupin e peshkut me të cilin ka formuar lidhje, duke përfshirë këtu edhe gushën dhe gojën. Si rezultat i kësaj, peshku të cilit i kryhet ky shërbim, nuk e ha peshkun "patrues". Mund të ndodhi që peshku "pastrues" gjatë pastrimit të trupit të peshkut me të cilin formon lidhje bashkëpunimi të mashtrojë dhe të kafshojë një pjesë të vogël të mishit të peshkut, me ç'rast peshku të cilit i kryhet shërbimi nuk kthehet më te ai peshk "pastrues" i caktuar.
Për të shikuar ndikimin e hormonit serotonin te peshqit "pastrues", Jose Paula dhe kolegët e tij kanë marrë 45 peshq "pastrues" nga ishulli Lizard në Australi, dhe kanë injektuar në to pesë nga komponentet e mundshme; dy komponime që rrisin efektin e serotoninit, kurse dy të tjerat që bllokojnë efektin e serotonin-it. Komponimi tjetër ishte komponim i kripur, solucion fiziologjik, që vepronte si kontrollues.
Rezultatet e eksperimentit treguan se peshqit "pastrues" që kishin serotonin ishin më socialë dhe me vullnet për të kërkuar klientë, kurse peshqit "pastrues" që kishin mungesë të këtij hormoni ishin shumë më pak socialë dhe duke iu shmangur "klientëve".
1. http://blogs.scientificamerican.com/not-bad-science/serotonin-deprived-cleaner-fish-are-socially-withdrawn/
2. http://beheco.oxfordjournals.org/content/early/2015/04/21/beheco.arv039.abstract