Marrëdhëniet me përfitime të dyanshme mes organizmave të ndryshëm janë të shumta në natyrë. Ka shumë shembuj të marrëdhënieve të tilla, siç është marrëdhënia mes bimëve me lule dhe bletëve, ku të dyja nga këto kategori sistematike shumë të largëta nga njëra-tjetra përfitojnë nga kjo marrëdhënie; marrëdhënia mes disa baktereve dhe bimëve leguminoze; e shumë e shumë raste të tjera. Pikërisht me natyrë të tillë është edhe marrëdhënia mes njeriut dhe një lloji zogu të njohur si "honeyguide" (sq. udhërrëfyes mjalti). Edhe pse marrëdhëniet mes njeriut dhe kafshëve të zbutura dihen, asnjëherë nuk kemi qenë të njohur me ndonjë rast të bashkëpunimit mes njeriut dhe kafshëve të egra. Në fakt, marrëdhënia mutualiste mes njeriut dhe zogut të njohur si "honeyguide" është zbuluar para 500 viteve, mirëpo vetëm tani shkencëtarët kanë arritur ta dokumentojnë në mënyrë direkte, madje duke dëshmuar se kjo marrëdhënie, që mund të cilësohet edhe bashkëpunim, është edhe më i fortë sesa është menduar.
Njerëzit e Afrikës sub-Sahariane dhe zogu "honeyguide" kanë diçka të përbashkët: Edhe njerëzit e këtij vendi po edhe ky lloj zogu 'vrapojnë' pas koshereve të bletëve; njerëzit për mjaltin që ndodhet në koshere, ndërsa ky lloj zogu për hojet prej dylli. Por, përderisa zogjtë e kanë të lehtë t'i gjejnë kosheret, ata nuk mund t'i hapin/çajnë kosheret për të nxjerrë hojet prej dylli të këtyre koshereve. Njerëzit, në anë tjetër, e kanë të lehtë të hapin kosheret, por vështirë për t'i gjetur ato! Kështu, bashkëpunimi me anë të marrëdhënies mutualiste, qëndron në atë se zogjtë i gjejnë kosheret e pastaj nëpërmjet një lajmërimi me anë të disa tingujve të veçantë - cicërimit, i lajmërojnë njerëzit, të cilët pastaj i gjejnë kosheret, i çajnë ato dhe i dëbojnë bletët. Pas kësaj zogjtë nxjerrin hojet prej dylli, ndërsa njerëzit marrin për vete mjaltin që ndodhet aty. Ndërsa, ndodh edhe që njerëzit e atij vendi të përdorin thirrjen e tyre të veçantë për zogjtë që të kërkojnë ndihmën e tyre për të gjetur kosheret. Kjo do të thotë se përzgjedhja natyrore ka favorizuar evoluimin e kësaj lloj marrëdhënieje për arsyet që u përmendën.
Thirrja e këtyre zogjve tingëllon diçka si "brrr-hm". Edhe pse marrëdhënia mutualiste është dëshmuar, shkencëtarët dëshiruan që ta dëshmonin edhe më mirë. Kështu, ata bashkëpunuan me anëtarët e komunitetit Yao dhe kërkuan nga ata që të dalin në kërkim të koshereve, por duke përdorur tri thirrje automatike të ndryshme: thirrjen "brrr-hm, një fjalë të çfarëdoshme në gjuhën Yao dhe një thirrje jo të afërt me zogjtë. Rezultatet ishin mahnitëse. Ato treguan se zogjtë i përgjigjeshin në masë të madhe thirrjes "brrr-hm", por jo edhe thirrjeve të tjera!
1. http://science.sciencemag.org/content/353/6297/387
2. http://www.sciencemag.org/news/2016/07/unusual-bird-human-partnership-runs-even-deeper-scientists-thought
3. http://escientificnews.com/2016/07/23/scientists-document-wild-birds-talking-with-humans-for-the-first-time/
4. http://www.sciencealert.com/scientists-document-wild-birds-communicating-with-african-tribespeople-to-help-them-find-honey