Teoria e evolucionit parashikon që çiftet e kromozomeve në organizmat aseksualë do të divergjojnë nga njëri-tjetri dhe do të evoluojnë tutje duke shkaktuar fitimin e specieve të reja të këtyre organizmave, me anë të fenomenit të njohur si efekti Meselson (Meselson Effect).
Por çfarë është efekti Meselson? Me efektin Meselson nënkuptojmë fenomenin kur dy alele (alelet janë forma të ndryshme të ekzistimit të një gjeni) në një lokus në kromozom, ku njëri alel rrjedh nga një vijë tjetër evolutive e edhe tjetri nga një vijë tjetër evolutive, pësojnë mutacione dhe rrjedhimisht me kalimin e kohës divergjojnë dhe evoluojnë aq shumë nga njëri-tjetri, secili në drejtimin e vet, sa që kështu bëhet edhe fitimi i një specieje të re të një organizmi aseksual. Fenomeni i efektit Meselson është propozuar 20 vite më parë dhe tani provat shkencore po flasin në favor të tij.
Për hulumtimin në fjalë, shkencëtarët kanë marrë parazitin Tripanosoma brucei Gambiense (ky është një subspecie), i cili është një parashtazor në kuadër të Sarcodinave i njohur si shkaktar i sëmundjes së gjumit, sëmundje kjo, e cila shoqërohet me simptoma si vjellja, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, të nyjeve, deri sa paraziti të kalojë në sistemin nervor qendror ku shkakton çrregullime neurologjike me pasojë çrregullimet në personalitet. I sëmuri më në fund bie në gjumë të thellë për t'u mos u zgjuar më, andaj edhe e ka marrë emrin si "sëmundja e gjumit".
Shkencëtarët kanë marrë gjenomet e 85 parazitëve të izoluar duke përfshirë këtu edhe shumë mostra nga vendet ku paraziti i kësaj Tripanosoma Gambiense është gjeografikisht i ndarë, brenda Guinesë. Pas krahasimit të gjenomeve, shkencëtarët kanë ardhur në përfundim se kjo subsecie ka divergjuar dhe evoluar në specie tjetër nga një individ i vetëm brenda 10.000 viteve të fundit, në kohën kur bagëtitë kishin filluar të përhapen shumë ne Afrikën Perëndimore. Që nga kjo kohë, paraziti ka kërcyer nga një specie në tjetrën (dhe është fituar subspecia Tripanosoma brucei Gambiense). Që nga atëherë, mutacionet janë akumuluar dhe mungesa e rikombinimit të gjeneve, për shkak të mungesës së shumimit seksual, jep të kuptojmë se çiftet e kromozomeve me kalimin e kohës kanë divergjuar nga njëra tjetra duke demonstruar kështu efektin e Meselsonit.
1. http://elifesciences.org/content/5/e11473
2. http://www.sciencedaily.com/releases/2016/01/160126085755.htm
3. http://m.phys.org/news/2016-01-scientists-key-aspect-evolutionary-theory.html