Ebola është sëmundje ngjitëse, e cila shpërndahet përmes kontaktit me lëngjet trupore të të sëmurëve. Ajo prekë njerëzit dhe primatët e tjerë dhe vret mes 25 dhe 90% të të prekurve, me një mesatare rreth 50%. Simptomat fillestare janë: lodhje, dhimbje muskujsh, dhimbje koke dhe dhimbje fyti. Më pas ka: të vjella, diarre, puçrra, simptoma mosfunksionimi të veshkave dhe mëlçisë si dhe gjakderdhje e brendshme dhe e jashtme.
Vaksina në fjalë përmban virusin Vesicular Stomatitis Virus (VSV), i cili shkakton sëmundje në kafshë, por jo në njerëz, të cilit i është ngjitur proteina sipërfaqësore e Ebolës. Testimi në fjalë ka filluar në Mars dhe jo në Tetorin e kaluar, siç ishte planifikuar. Meqë rastet e sëmundjes janë rralluar, ka qenë më e vështirë të planifikohet studimi. Me fillimin e testimit, është vendosur që të vaksinohen të afërmit e të njohurit e të sëmurëve me Ebola, si dhe të afërmit dhe të njohurit e të afërmve dhe të njohurve të të sëmurëve (7651 persona). Nuk janë përfshirë në testim fëmijët (nën 18 vjeç) dhe gratë shtatzëna apo që u jepnin gji fëmijëve, apo personat që kanë refuzuar vetë. Të zgjedhurit për vaksinim janë ndarë në dy grupe të rastësishme, ku njëri grup është vaksinuar menjëherë (2014 persona), ndërsa grupi tjetër pas 21 ditëve (2380 persona). Meqë Ebola fillon të shfaqet rreth 10 ditë pas infektimit, të vaksinuarit janë kontrolluar 10 ditë pas vaksinimit, në mënyrë që të hiqeshin rastet e atyre që ishin të sëmurë (pa e ditur) që para se të vaksinoheshin. Nga grupi që është vaksinuar menjëherë nuk ka pasur asnjë rast të ri sëmundjeje, jo thjesht nga 10 ditët e parapara, por që pas 6 ditëve. Nga grupi i të vaksinuarve me vonesë, 16 persona janë sëmurë. Këto rezultate tregojnë se vaksina në fjalë është 100% efektive. Në 43 raste vaksina ka pasur efekte anësore, një nga të cilët mendohet të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e vaksinës.
Burime:
1. http://www.thelancet.com/pb/assets/raw/Lancet/pdfs/S0140673615611175.pdf
2. http://www.who.int/mediacentre/factsheets/fs103/en/
3. http://news.sciencemag.org/health/2015/07/ebola-vaccine-works-offering-100-protection-african-trial