Addyi është medikamenti i parë në llojin e vet, pasi që përpara tij nuk ka ekzistuar ndonjë trajtim për gratë me probleme të lidhura me dëshirën seksuale. Mjekët zakonisht kanë këshilluar terapi me psikologun, ose trajtime të tërthorta me testosteron dhe estrogjen. Çrregullimi hipoaktv i dëshirës seksuale (HSDD – Hypoactive sexual desire disorder) është problem që prekë 10% të grave, ndërsa përkohësisht mund të paraqitet te 40% e tyre. Problemi lidhet me depresionin dhe mund të krijojë probleme në një marrëdhënie ose martesë. Addyi është bari i parë i aprovuar për ta trajtuar këtë çrregullim, dhe FDA është akuzuar disa herë se po e ndalon për arsye paragjykimesh.
Por, Addyi, emri shkencor i së cilës është Flibanserin, nuk është aq e thjeshtë dhe e sigurt për t’u përdorur sa Viagra. Ajo nuk trajton rrjedhjen e gjakut drejt organeve gjenitale, por trajton mosbalancimin kimik në tru, duke vepruar si antidepresiv. Kjo bën që edhe efektet anësore të jenë më të rënda. Ajo mund të shkaktojë përgjumje, të fikët, ulje të presionit të gjakut, të përzier, etj. Ajo gjithashtu nuk mund të merret vetëm para aktit seksual, por duhet marrë çdo ditë. Kombinimi i saj me kontraceptivë apo alkool është i rrezikshëm pasi që këto i bëjnë më të theksuara efektet anësore.
Edhe për efektin e saj janë shfaqur dyshime. Gjatë testimit, gratë pjesëmarrëse kanë raportuar rreth një marrëdhënie të kënaqshme më shumë se gjatë marrjes së placebos. Gratë e pa trajtuara kanë raportuar mesatarisht 2,7 marrëdhënie të kënaqshme seksuale në muaj. Me përdorimin e placebos (marrjen e pilulave pa përbërës aktiv duke menduar se po marrin atë me përbërës aktiv) kanë raportuar mesatarisht 3,7 marrëdhënie të kënaqshme seksuale në muaj. Gratë që kanë marrë Addyi kanë raportuar për 4,4 marrëdhënie të kënaqshme seksuale në muaj. Përmirësimi shumë i vogël i gjendjes dhe efektet serioze anësore kanë bërë që disa mjekë e farmacistë të jenë skeptik ndaj këtij bari. Të tjerët kanë mbajtur qëndrimin se Addyi është një hap i madh për shëndetin seksual femëror.
Burime:
1. http://www.medicalnewstoday.com/articles/298349.php
2. http://www.bbc.com/news/health-33984472
3. http://news.discovery.com/human/health/female-viagra-gets-fda-approval-150819.htm#mkcpgn=rssnws1