Procedurat eksperimentale përbëjnë rrezik dhe për pasojë duhet të plotësohen disa kritere për t’u përzgjedhur për pjesëmarrje në to. Në këtë rast, përveç që pacienti duhet të jetë i vetëdijshëm për rrezikun dhe ta pranojë atë, ai gjithashtu duhet të jetë mes moshës 18 dhe 69 vjeç, dhe të jetë në gjendje shëndetësore mjaftueshëm të mirë për të marrë terapinë mes ditës së 14 dhe asaj të 30 pas lëndimit.
Terapia eksperimentale në këtë rast është përdorimi i qelizave staminale për të rigjeneruar palcën kurrizore të pacientit me qëllim shërimin, të paktën të pjesshëm, të pacientit me lëndim të rëndë të shtyllës kurrizore.
Qelizat staminale janë qeliza që mund të shndërrohen në të gjitha llojet e tjera të qelizave, duke mos humbur mundësinë për t’u shumuar. Ato mund të jenë: pluripotente (qeliza që gjenden në embrion dhe mund të shndërrohen në çdo lloj qelize), fetale (që gjenden në fetus dhe kanë disa karakteristika të llojeve të qelizave në të cilat janë duke u shndërruar) qeliza të të rriturve (që gjenden në palcën kurrizore të njerëzve të rritur) dhe qeliza të kordonit të kërthizës (që gjenden në kordonin e kërthizës së bebeve dhe mund të merren menjëherë pas lindjes).
Qelizat e përdorura në këtë terapi quhen AST-OPC1 dhe krijohen nga qelizat staminale embrionale (pluripotente), duke i shndërruar këto të fundit në OPC (qeliza oligodendrocite paraardhëse). OPC janë qeliza të trurit dhe palcës kurrizore, të cilat ndihmojnë në funksionimin e qelizave nervore. Studimet laboratorike me këto lloj qelizash kanë dhënë rezultate të kënaqshme dhe prandaj janë filluar eksperimentet klinike. Trajtimi bëhet duke injektuar një sasi të madhe qelizash AST-OPC1 në shtyllën kurrizore të pacientit. Gjatë eksperimenteve është filluar me numër të vogël dhe numri është rritur në mënyrë progresive. Tani, mjekët kanë arritur në 10 milionë qeliza AST-OPC1.
10 milionë qeliza i janë injektuar Kristopher (Kris) Boesen dhe më pas ai filloi të përdorte duart. Kris ishte lënduar në një aksident të rëndë automobilistik pak para se të mbushte 21 vjet. Mjekët u kishin thënë prindërve të tij se kishte shumë mundësi që ai të ishte i paralizuar nga qafa e poshtë për gjithë jetën. Terapia eksperimentale ishte e vetmja mundësi për të. Për t’u kualifikuar, mjekët bënë të mundur që ai të përmirësohej shpejt që të merrte frymë pa ndihmën e aparaturave pas 5 ditësh, nga 3 javë që i duhen zakonisht një pacienti. Në prill, atij iu dha injeksioni me qeliza AST-OPC1. Mjekët e kontrolluan përparimin e tij pas 7, 30, 60 dhe 90 ditësh. Tani ai është në gjendje të përdorë duart për të ngrënë, për të përdorur celularin, për të shkruar, për të përdorur karrigen me rrota, etj. Mjekët do e kontrollojnë përsëri 180 dhe 270 ditë pas injektimit. Ata bëjnë kujdes të mos bëjnë parashikime të tepruara, ndërsa Kris shpreson se me këtë lloj trajtimi do të mund të ecë sërish. |
1. https://stemcell.usc.edu/2016/09/07/paralyzed-man-regains-use-of-arms-and-hands-after-experimental-stem-cell-therapy-at-keck-hospital-of-usc/
2. http://asteriasbiotherapeutics.com/asterias-biotherapeutics-announces-interim-efficacy-data-from-scistar-clinical-trial-of-ast-opc1-in-complete-cervical-spinal-cord-injury-patients-to-be-presented-at-the-55th-iscos-annual-scientific-me/
3. http://omi.al/botime-per-mjeket/cfare-jane-qelizat-staminale/