Grupi i shkencëtarëve të Institutit Salk, të udhëhequr nga Terry Sejnowski dhe Kristen Harris kanë krijuar një model 3D të hipokampusit të minjve për ta studiuar atë më në hollësi. Modeli i krijuar kishte madhësinë e një eritrociti (qelize të kuqe gjaku), por përmbante rekonstruktim të detajuar të çdo elementi të pjesës së trurit. Ata u mrekulluan nga kompleksiteti dhe ndryshimet mes sinapseve. Ata vërejtën se në disa raste, një akson krijonte dy sinapse me të njëjtin neuron dhe kjo e bënte të dukej sikur neuroni merrte informacion të dyfishtë nga neuroni tjetër. Këto lloj lidhjesh ndodhin në rreth 10% të rasteve.
Më parë, sinapset kategorizoheshin si: të vogla, të mesme dhe të mëdha. Sinapset e mëdha kanë më shumë fuqi për të përçuar sinjale se sinapset e vogla. Më të mëdhatë mendohet se janë rreth 60 herë më të mëdha se të voglat. Sinapset ndryshojnë përmasa në varësi të përdorimit të tyre. Ndryshimet në sinapset e vogla ndodhin pas rreth 1500 përçimesh (20 minuta), ndërsa në ato të mëdhatë pas rreth 200 përçimesh (2 minuta). Studimi i ri arriti në përfundimin se dy sinapset e krijuara nga i njëjti akson kishin dallim vetëm 8%. Kjo mundësoi që ata të llogarisnin se ekzistonin 26 madhësi të ndryshme sinapsesh. Sipas llogaritjeve të tyre në terma kompjuterikë, në vend të 1 apo 2 bitëve informacion që mendohej se kalonin përmes tyre, rezulton se kalojnë 4.7 bit. Kjo bën që në total, e gjithë kujtesa jonë të jetë në gjendje të përmbajë të paktën një petabyte (lex. petabajt) informacion, aq sa i gjithë interneti.
Këto zbulime mund të përdoren në teoritë e të mësuarit, për të krijuar mënyra më të mira dhe më efektive për të mësuar dhe kujtuar informacionin. Për më tepër, këto informacione mund të përdoren për krijimin e kompjuterëve që përdorin më pak energji për të kryer më shumë punë. Rëndësi më të madhe do të kenë për kompjuterët që përdoren për krijimin e inteligjencës artificiale.
1. http://www.salk.edu/news-release/memory-capacity-of-brain-is-10-times-more-than-previously-thought/
2. http://www.sciencealert.com/our-brain-s-memory-capacity-is-10-times-larger-than-we-thought
3. http://elifesciences.org/content/4/e10778
4. http://neuroscience.uth.tmc.edu/s4/chapter05.html
5. http://www.slideshare.net/kleidamati/organizimi-i-sistemit-nervor