Studimi paraqet një përmbledhje dhe krahasim të gjatësisë mesatare të personave 18 vjeçar nga viti 1914 dhe viti 2014 nga 200 shtete. Të dhënat për burrat janë më të sakta për shkak të regjistrimeve ushtarake, ndërsa ato për gratë, sidomos të shumë viteve më parë dhe të shteteve më pak të zhvilluara, janë më shpesh përafrime të bazuara në studimet e pakta. Burrat kanë rezultuar më të gjatë se gratë në çdo popullsi. Dallimi mes mesatares së gjatësisë mes popullit më të gjatë dhe atij më të shkurtër ka qenë rreth 19-20 cm para 100 vitesh dhe është rritur për burrat dhe nuk ka ndryshuar për gratë. Në të gjithë studimin, grupi më i gjatë kanë qenë burrat e lindur në Holandë në fund të shek. 20, ndërsa grupi më i shkurtër kanë qenë gratë e lindura në Guatemala në fund të shek. 19. Më së shumti në 100 vitet e fundit janë zgjatur burrat iranianë me 16,5 cm dhe gratë koreano-jugore me 20,2 cm. Mesataren më të lartë të gjatësisë për vitin 2014 e kanë pasur gratë nga Letonia me 169,8 cm dhe burrat nga Holanda me 182,5 cm. Gratë shqiptare janë zgjatur 11,6 cm (nga 150,2 cm në 1914 në 161,8 cm në 2014), ndërsa burrat 10,1 cm (nga 163,3 cm në 1914 në 173,4 cm në 2014).
Listat e të dy gjinive kryesohen nga vendet Evropiane, ndërsa popujt që janë zgjatur më pak janë ata të Azisë Jugore dhe Afrikës Sub-Sahariane. Kjo tregon për ndryshimin në ushqim dhe sëmundje. Përderisa gjatësia e një personi të veçantë varet nga gjenetika, ajo mesatare e një popullsie është shumë më shumë e lidhur me ushqimin e sëmundjet. Në një popull ku njerëzit vuajnë nga shumë sëmundje fëmijërie e nuk ushqehen mirë, ata nuk arrijnë gjatësinë që gjenet do i lejonin të arrijnë. Një faktor me rëndësi është ushqyerja e nënës gjatë shtatzënisë dhe gjatësia e vetë asaj.
Nuk është vetëm pasojë e një situate më të mirë, ajo duket se edhe krijon situatë më të mirë. Personat më të gjatë, sipas të dhënave, jetojnë më gjatë, kanë më pak mundësi të vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, ndërsa gratë në veçanti kanë më pak mundësi të kenë komplikime gjatë lindjes se gratë më të shkurtra. Për më tepër, njerëzit më të gjatë shkollohen më shumë dhe kanë më shumë sukses. E vetmja e keqe që duket se sjell gjatësia është rritja e mundësisë për t’u sëmurë me kancer.
1. https://elifesciences.org/content/5/e13410/article-data
2. https://www.theguardian.com/science/2016/jul/26/tall-story-men-and-women-have-grown-taller-over-last-century-study-shows?utm_term=Autofeed&CMP=fb_a-science_b-gdnscience#link_time=1469488337
3. http://www.ncdrisc.org/height-ranking-mean.html
4. http://www.ncdrisc.org/about-us.html