Qelizat T janë qeliza të veçanta të llojit të leukocitëve (rruazave të bardha), të cilat sulmojnë qelizat e kancerit apo infeksionet me qëllim që t’i zhdukin ato. Kur sëmundja është e fuqishme ose kronike, këto qeliza dobësohen. Shkencëtarët kanë zgjedhur një nëngrup të tyre që e kanë konsideruar më të përshtatshëm, e kanë nxjerrë nga trupi i pacientit dhe e kanë modifikuar gjenetikisht duke u shtuar receptorë antigjene që u ndihmojnë të sulmojnë një molekulë të veçantë që lidhet me kancerin apo infeksionin që kanë për qëllim të trajtojnë. Qelizat e tilla janë futur përsëri në trupin e pacientit ku kanë sulmuar qelizat kanceroze apo infeksionin. Përveç që sulmojnë vetë, ato u tregojnë edhe qelizave të tjera të sistemit mbrojtës kë të sulmojnë.
Për shkak të faktit që është trajtim në testim, trajtimi është përdorur vetëm te pacientët te të cilët çdo metodë e njohur trajtimi ka dështuar dhe të cilët kanë pasur mes dy dhe pesë muaj jetë të mbetur. Testimet janë bërë te pacientët me kancer të gjakut. Te njëri testim, te pacientët me leukemi akute limfoblastike (ALL), 94% e pacientëve pjesëmarrës kanë parë përmirësim të ndjeshëm, deri në zhdukjen e plotë të simptomave. Pacientët me lloje të tjera të kancerit të gjakut i janë përgjigjur trajtimit deri në 80%, me gjysmën që duket sikur janë shëruar. Për më tepër, kjo qelizë duket se rri brenda trupit duke parandaluar kthimin e të njëjtit lloj të kancerit. Sipas një studimi të raportuar nga Chiara Bonini, qelizat janë ndjekur gjatë qëndrimit në trupin e pacientëve nga 2 deri në 14 vite.
Por, ky trajtim ka efekte të rënda anësore. Te 20 pacientë, te të cilët është testuar, ai ka sjellë: temperaturë të lartë, hipotension e neurotoksicitet, për shkak të sindromës së lirimit të citokinës (lirimit të tepruar të qelizave mbrojtëse). Dy nga pacientët kanë vdekur. Shkencëtarët kanë provuar t’i dallojnë këto qeliza, në mënyrë që në rast efektesh anësore të mund t’i shkatërrojnë. Sidoqoftë, i gjithë ky trajtim është ende në fillimet e veta dhe duket se shkencëtarët janë të ndarë në shpresat që kanë për këtë mënyrë trajtimi. Përderisa Stanley Riddell e sheh si një shpresë të fundit për pacientët që duket sikur e kanë humbur luftën kundër kancerit, Chiara Bonini e sheh si zgjidhjen e plotë të problemit. Ndërkohë Dirk Busch, i cili ka studiuar mënyrat për ndalimin e këtyre qelizave kur rrezikojnë pacientin, sipas zyrës së shtypit të universitetit ti tij, beson se “... sa më të definuara të jenë produktet qelizore, aq më të parashikueshme do të jenë rezultatet klinike”.
1. https://www.theguardian.com/science/2016/feb/15/cancer-extraordinary-results-t-cell-therapy-research-clinical-trials
2. http://www.tum.de/en/about-tum/news/press-releases/short/article/32936/
3. https://aaas.confex.com/aaas/2016/webprogram/Session12231.html