Sëmundja e Alzheimerit është lloji më i përhapur i demencës. Ajo paraqitet zakonisht pas moshës 65 vjeçare, por në disa raste mund të paraqitet që në të 40-at. Megjithëse shpesh paraqitet te të moshuarit, ajo nuk është pjesë normale e plakjes, por sëmundje. Ajo paraqitet me shenja të lehta të problemeve me sjellje, kujtesë e të menduar, por me kalimin e kohës sëmundja përkeqësohet, aq sa në fazën e fundit i sëmuri nuk mund të ndërveprojë me ambientin përreth. Deri tani nuk ka ndonjë bar për shërimin e kësaj sëmundjeje dhe nuk dihet shkaku saktë i saj. Mendohet se ajo shkaktohet nga krijimi i pllakave amiloid-β në tru dhe nga ngatërrimet neurofibrilare. Këto mendohet se e ndalojnë transportimin e ushqimit të nevojshëm në pjesë të caktuara të trurit. Aducanumab është një antitrup, i cili kur gjendet në trupin e një personi ndalon krijimin e depozitave të amiloid-β. Shkencëtarët e kanë zbuluar në trupat e njerëzve, të cilët nuk kishin shenja harrese e dobësim të menduari kur plakeshin.
Pas testimit në minj, i cili dha rezultate të kënaqshme duke mos paraqitur rrezik dhe duke pastruar trurin e minjve të sëmurë nga proteina amiloid-β, shkencëtarët filluan testimin klinik me pacientë. Në studim u përfshinë 165 persona, të ndarë në grupe. 125 e kanë mbaruar trajtimin, ndërsa 40 e kanë lënë përgjysmë. 20 nga ata kishin probleme si dhimbje koke, infeksion, abnormalitete të imazhimit, etj. Problemet u zhdukën brenda 4-12 javësh. 103 personat që ishin në grupet që morën doza të aducanumab për 54 javë, pas një viti kishin pakësim të toksinës në tru. 21 personat të cilëve u ishte dhënë doza më e madhe pothuajse s’kishin fare amiloid-β në trurin e tyre pas një viti. 40 personat që morën placebo nuk kishin ndonjë përmirësim. Personat e trajtuar me këtë bar gjithashtu treguan shenja përmirësimi dhe ngadalësim të rënies kognitive që sjell kjo sëmundje.
Megjithëse ky është rezultati më i mirë i raportuar për ndonjë bar për këtë sëmundje në dekada, shkencëtarët thonë se duhet pasur kujdes sepse këto rezultate janë fituar në një grup shumë të vogël pacientësh. Për të arritur rezultate më të sigurta, shkencëtarët planifikojnë të bëjnë një testim tjetër, më të madh, me 2700 pacientë nga 20 shtete të ndryshme. Ky testim mendohet të fillojë në vitin 2020 dhe të zgjasë për 18 muaj.
Referencat:
1. http://www.nature.com/news/alzheimer-s-treatment-appears-to-alleviate-memory-loss-in-small-trial-1.20509
2. http://www.nature.com/articles/nature19323.epdf?referrer_access_token=Tvi4A2YWUKESEuHXKt2R4tRgN0jAjWel9jnR3ZoTv0OqjsrnqFbRwzkQCJeuXdT6QH-vYxB4jJOOZP2j6zdaAG4EU223LghMq_VnT14i8js16SlKIM4dAVJaaXMWVE759lqtymDZPu6PPDzkc4uuwr4zS8C_P6Vwwgam1Of1y_1gyT5vETtWrUANq_2K5EPDmcBTi4A1p-T5ZUJ2dRt2KhatiNtHXrxnEUvVzeTISH4qdf8jvJQ0IKN9efqFH-Liw_fyydLdN7MWr0OLWlInqbR3huzqW8fj4Bw8T9i9xyo%3D&tracking_referrer=www.nature.com
3. https://www.theguardian.com/science/2016/aug/31/tantalising-signs-that-new-alzheimers-drug-could-benefit-early-stage-patients-aducanumab
4. http://www.sciencealert.com/new-alzheimer-s-drug-trial-clears-toxic-brain-proteins-and-slows-memory-loss
5. http://www.alz.org/alzheimers_disease_what_is_alzheimers.asp