Skizofrenia është çrregullim mendor që mund të përkeqësojë ndjeshëm jetën e të sëmurit dhe të personave përreth. Ajo prekë mënyrën se si personi mendon, sillet e ndjenë. Simptomat më të zakonshme te të sëmurët me skizofreni janë: halucinacionet, iluzionet, të menduarit jofunksional, shqetësim, nervozë, më pak shprehje të emocioneve, më pak ndjenja kënaqësie, vështirësi në fillimin dhe kryerjen e një aktiviteti, më pak të folur, vështirësi në përqendrim dhe vëmendje, vështirësi të përdorimit të informacionit të mësuar, etj. Shkaqet për të janë të ndryshme dhe variojnë nga ata gjenetikë, te ata të mjedisit e deri te zhvillimi para lindjes (në mitrën e nënës). Edhe pse nuk ekziston një gjen i veçantë përgjegjës, disa gjene duket se bashkëpunojnë për të dhënë këtë sëmundje. Përgjegjës të tjerë mund të jenë: reaksionet kimike të pabalancuara e që nuk zhvillohen siç duhet në trurin e të sëmurit; problemet me të ushqyerit para lindjes (foshnja nuk ka marrë ushqimin e nevojshëm nga nëna) dhe problemet gjatë lindjes; problemet psikosociale; etj. Edhe pse skizofrenia ulë mundësinë për të pasur fëmijë, ajo është vazhdimisht e pranishme te njerëzit, njëlloj siç ka qenë gjatë gjithë historisë së njeriut modern.
Neandertalët (emri shkencor: Homo neanderthalensis) ishin një subspecie njeriu, që ka jetuar në Evropë dhe në Azinë jugperëndimore dhe qendrore, 400 000 deri 40 000 vite më parë. Mesin e fytyrës e kishin të madh, faqe më këndore se njeriu modern dhe hundë të madhe. Ata ishin më të shkurtër e më të bëshëm se njeriu modern. Përkundër ideve popullore, ata kishin tru po aq të madh sa tonin, e nganjëherë, më të madh në krahasim me trupin që kishin. Ata krijonin vegla, përdornin zjarrin dhe visheshin. Jetonin duke u marrë me gjueti por hanin edhe bimë. Ata kanë jetuar njëkohësisht me njeriun modern për një periudhë kohore dhe këto dy subspecie njerëzore edhe janë çiftëzuar e kanë pasur fëmijë. Për këtë arsye, shumica e evropianëve dhe aziatikëve kanë pak gjene neandertali (1-4%). Kështu, për të parë se si ka evoluar skizofrenia, shkencëtarët kanë krahasuar gjenet e të sëmurëve me skizofreni dhe neandertalëve. Siç u tha më sipër, një grup gjenesh të ndryshme japin kontributin e vet në rritjen e rrezikut për skizofreni. Këto gjene janë të përbashkëta te shumë të sëmurë. Por, ato mungojnë tek neandertalët. Për më tepër, duket se zonat e rrezikut apo zonat e gjenomit në të cilat ndodhen gjenet që kontribuojnë në paraqitjen e skizofrenisë, gjendeshin kryesisht në zonat ku gjenomi i njeriut ishte ndryshe nga ai i neandertalëve. |
Referenca:
1. http://www.alphagalileo.org/ViewItem.aspx?ItemId=167019&CultureCode=en
2. http://www.biologicalpsychiatryjournal.com/article/S0006-3223(15)00855-0/abstract
3. http://www.nimh.nih.gov/health/topics/schizophrenia/index.shtml
4. http://humanorigins.si.edu/evidence/human-fossils/species/homo-neanderthalensis
5. https://genographic.nationalgeographic.com/neanderthal/