Kanceri i gjirit është kancer që përhapet shpejt. Një e treta e pacientëve do vuajnë nga një tumor i dytë për shkak të metastazave. Këto metastaza rezultojnë në tumore në: eshtra, mushkëri, nyje limfatike dhe tru, gjë që rritë mundësinë për vdekjen e pacientëve. Edhe pse kontrollet e vazhdueshme kryhen gjithmonë te këta pacientë, me metodat ekzistuese të detektimit është e vështirë të zbulohet në kohë për t’u mjekuar dhe të përcaktohet lloji i kancerit.
Metoda e re e propozuar nga grupi i Dr. Lu, është në gjendje t’i zbulojë metastazat që kur ato janë shumë të vogla dhe përbëhen prej vetëm prej disa qindra qelizave. Kjo metodë gjithashtu arrin të dallojë tumoret agresive nga ato me rrezikshmëri të ulët. Kjo metodë funksionon në mënyrë të tillë që përdorë një kontrast kimik të veçantë, i cili lidhet me strukturat matrica të proteinave që rrethojnë kancerin, të quajtura komplekse fibrin-fibronektin. Kontrasti përbëhet nga peptide të etiketuara me magnete të vogla që shërbejnë si biosonda. Meqë fibronektin lidhet me kancerët e rrezikshëm, një lidhje e kontrastit me të sinjalizon se bën fjalë për kancer të rrezikshëm. Këto lidhje vërehen duke përdorur rezonancën magnetike MRI, e cila vepron duke përdorur fushën magnetike. Magnetet e vogla të biosondave bëjnë më të ndritshëm imazhin kur peptidet e tëre lidhen me proteinën e caktuar. Me këtë metodë, shkencëtarët kanë qenë në gjendje të shohin mikrometastazat në eshtra me madhësi 0.5 mm.
Eksperimentet janë bërë në minj të sëmurë me kancer gjiri dhe shkencëtarët shpresojnë që së shpejti këtë metodë ta zhvillojnë për përdorim pa rreziqe në paciente njerëz. Ata, madje, shpresojnë që ta zhvillojnë metodën e tyre në mënyrë që të mund të përdoret edhe për kancerin e prostatës.
Burime:
1. http://www.nih.gov/news/health/aug2015/nibib-12.htm
2. http://www.nature.com/ncomms/2015/150812/ncomms8984/full/ncomms8984.html