Shkencëtarët hungarezë nga Instituti për Kërkime Bërthamore i Akademisë Hungareze të Shkencave në Debrecen po bënin eksperimente për kërkimin e “fotoneve të errëta”, grimcave që mendohet se do të mund të mundësonin “shikimin” e materies së errët, e cila mendohet se mbushë 85% të universit. Për këtë, ata bombarduan një shenjë të hollë litiumi-7 me protone. Këto bombardime krijuan berilium-8 të paqëndrueshëm, i cili shumë shpejt u shpërbë, duke liruar çifte elektron-pozitron. Sipas teorisë, me rritjen e këndit me elektronit e pozitronit duket të ulej numri i çifteve. Por, në rreth 140 gradë, numri i tyre u shtua. Kjo ishte diçka e papritur dhe e pashpjegueshme. Ideja e tyre ishte se këto mund të ishin ose grimca materieje ose fotone të errëta. Shkencëtarët i postuan rezultatet e tyre në arXiv në prill të 2015 dhe i publikuan në Physical Review Letters në janar të këtij viti.
Këto të dhëna u vunë re nga fizikanët teorikë në Universitetin e Kalifornisë dhe universiteti i Kentakit. Ata u dhanë një shpjegim shumë ndryshe rezultateve. Sipas tyre, këto rezultate të çuditshme ishin pasojë e një grimce të re, një bozoni X, i cili bartte një forcë të panjohur deri më tani. Në fizikë njohim 4 forca: forcën e bashkëveprimit të fortë, e cila bartet nga bozoni i quajtur gluon; forca e bashkëveprimit të dobët, e cila bartet nga bozonët e quajtur W dhe Z; forca elektromagnetike, e cila bartet nga bozoni i quajtur foton; dhe forca gravitacionale, e cila mendohet se bartet nga një bozon i quajtur graviton, edhe pse gravitonet nuk janë vëzhguar apo matur ndonjëherë. Edhe pse shkencëtarët janë përpjekur të krijojnë një teori që i unifikon të gjitha këto, deri më tani nuk ia kanë arritur. Bozoni X do të ishte shumë i lehtë, vetëm 34 herë më i rëndë se një elektron. Eksperimentet për ta zbuluar atë do të kishin nevojë të përfshinin energjinë rreth 17 MeV, pra kjo do të ishte një grimcë aq e thjeshtë për t’u zbuluar, saqë do të mund të zbulohej me teknologjinë e viteve ’50 e ’60. Por, këta fizikanë teorikë janë të bindur se ky zbulim u ka kaluar para syve shumë shkencëtarëve për shkak të mënyrës në të cilën ky bozon bashkëvepron, e cila është shumë e dobët.
Teoria e re e paraqitur nga shkencëtarët nga Kalifornia e Kentaki vë një bazë të mirë për eksperimentet e mundshme për vërtetimin apo hedhjen poshtë të ekzistencës së një grimce të tillë. Edhe pse shumica e shkencëtarëve janë skeptikë për diçka që duket kaq e thjeshtë e kaq revolucionare për fizikën, shumë eksperimente gjatë këtij viti do të fokusohen te energjia rreth 17 MeV. Eksperimente të tilla janë: eksperimenti DarkLight i Laboratorit Xheferson, i cili gjithashtu do të jetë në kërkim të fotoneve të errëta dhe do të ketë mundësi të kontrollojë intervalin e energjisë nga 10 deri në 100 MeV; eksperimenti LHCb i CERN-it; një eksperiment në INFN (Instituti Kombëtar i Fizikës Bërthamore i Italisë); dhe një eksperiment në Institutin Budker të Fizikës Bërthamore në Rusi. Na mbetet vetëm të presim.
Referencat:
1. https://news.uci.edu/research/uci-physicists-confirm-possible-discovery-of-fifth-force-of-nature/
2. http://arxiv.org/pdf/1608.03591v1.pdf (parapublikim)
3. http://www.nature.com/news/has-a-hungarian-physics-lab-found-a-fifth-force-of-nature-1.19957
4. http://journals.aps.org/prl/abstract/10.1103/PhysRevLett.116.042501
dhe http://arxiv.org/pdf/1504.01527v1.pdf (parapublikim)
5. http://journals.aps.org/prl/abstract/10.1103/PhysRevLett.117.071803
dhe http://arxiv.org/pdf/1604.07411v2.pdf (parapublikim)
6. http://home.cern/about/physics/standard-model