Gjithçka fillon me fushën e Higgs-it, e cila mbushë gjithë universin. Grimcat e kësaj fushe janë bozonet e Higgs-it. Për të fituar masë, grimcat e tjera elementare bashkëveprojnë me to. Një pjesë e hapësirës që gjendet në një minimum lokal energjie quhet vakuum i rremë. Fusha e Higgs-it gjendet në një energji më të lartë se energjia më e ulët e mundëshme, prandaj ky vakuum quhet vakuum i Higgs-it. Ky vakuum është metastabël, që do të thotë gjysmë i qëndrueshëm. Ai ndahet nga vakuumi i vërtetë nga një barrierë e lartë energjetike, dhe po ta kalonte atë universi do të shkatërrohej. Meqë barriera është shumë e lartë, e vetmja mënyrë për ta kaluar është tunelimi kuantik (mes për mes). Por, kjo është diçka aq e rrallë dhe aq e pamundur, saqë do t’i duhej një kohë jashtëzakonisht e gjatë për ta kaluar, shumë herë më e gjatë se jeta e universit tonë. Artikulli i ri (nga 20 janari) thotë se situata ndryshon kur marrim parasysh vrimat e vogla të zeza. Vrimat e zeza janë zona me gravitet aq të lartë saqë as drita nuk mund t’u shpëtojë. Artikulli në fjalë thotë se nëse një vrimë e vogël e zezë do të ishte brenda një flluske vakuumi të vërtetë, graviteti i saj do ta ndryshonte balancën energjetike dhe kjo do të bënte që kjo flluskë të rritej në vend që të zhduket siç do të bënte po të mos përmbante një vrimë të zeze. Po të ndodhte një gjë e tillë, universi do të shkatërrohej në një kohë të barabartë me miliona kohë Planku (shumë më pak se një sekondë) dhe jo për miliarda vite. Arsyeja pse një gjë e tillë nuk ndodhë është e panjohur ende. Diçka e bën të qëndrueshëm universin dhe kjo diçka nuk paraqitet në llogaritjet e tyre.
Shumë fizikanë kanë hedhur dyshimet e veta për këtë artikull, disa madje kanë vënë në dyshim saktësinë e llogaritjeve – raporton Science. Autorët kanë supozuar gjëra që do të mund të ndodhnin, por është një histori me shumë ‘sikur të ishte’ e ‘po të ndodhte’. E vërteta mbetet se rrezet kozmike përplasen në atmosferën tonë me energji shumë më të larta se ato të krijuara në LHC, dhe universi nuk është shkatërruar ndonjëherë nga ato. E vetmja frikë reale në lidhje me këtë artikull është se mos kundërshtarët e shkencës e keqkuptojnë dhe keqinterpretojnë dhe na krijojnë përsëri data imagjinare për fundin e botës ose përpiqen të ndalojnë punën e shkencëtarëve.
Burime:
1. http://arxiv.org/pdf/1501.04937v1.pdf
2. http://news.sciencemag.org/europe/2015/08/tiny-black-holes-could-trigger-collapse-universe-except-they-dont?rss=1