Fizika kuantike na paraqet një mënyrë të kuptuari të gjërave, e cila është shumë ndryshe nga ajo që përdorim në jetën e përditshme. Ndërkohë që ne molekulat i shohim si grimca, sipas mekanikës kuanike ato, si edhe çdo grimcë tjetër, janë edhe valë. Kështu, kur molekulat kalojnë përmes një rrjete difraksioni ato mund të sillen edhe si valë dhe të paraqitet difraksioni e për pasojë interferenca e tyre. Kjo bëhet e mundur nëse molekulat lëshohen nga një burim pikësor. Në këtë mënyrë ato delokalizohen, pra humbet kuptimi i tyre si grimca që ndodhen në një vend të caktuar dhe zëvendësohet me formën valore, në të cilën ato janë në shumë vende në të njëjtën kohë.
Interferometria e valëve të materies është e rëndësishme për studimin e fizikës kuantike si dhe për shumë teknologji me saktësi të lartë. Një problem gjithmonë i pranishëm është paraqitja e forcave të van der Waals-it kur molekulat e polarizueshme kalojnë përmes rrjetës së difraksionit. Këto forca paraqiten mes dipoleve, dipolit dhe dipolit të induktuar ose dy dipoleve të induktuara. Kështu, kur molekula e polarizueshme kalon përmes rrjetës së difraksionit, ajo polarizohet dhe ngjitet për ‘shufrat’ e rrjetës. Kjo mund të shkaktojë probleme serioze dhe ta bëjë të pamundur eksperimentin. Rrjeta e sapokrijuar njëatomike është shumë e hollë dhe për këtë arsye e minimizon këtë problem. Eksperimentet me të gjithashtu ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje eksperimentit imagjinar nga Einstein dhe Bohr, të bërë para 80 vitesh, në lidhje me përcaktimin e rrugës së një grimce duke e trajtuar atë si valë. Përgjigja është në pajtim me papërcaktueshmërinë e Heisenberg-ut: Kur një grimcë kalon përmes një rrjete difraksioni, rruga e saj nuk mund të gjendet bazuar në vetitë valore të saj pasi që koherenca kuantike nuk mund të kapërcehet.
Burime:
1. http://www.nature.com/nnano/journal/vaop/ncurrent/full/nnano.2015.179.html#affil-auth
2. http://medienportal.univie.ac.at/presse/aktuelle-pressemeldungen/detailansicht/artikel/quantum-diffraction-at-a-breath-of-nothing/