Pas shumë vitesh kërkim e teori, këto pika janë vërejtur eksperimentalisht nga një grup shkencëtarësh në MIT. Para dy vitesh, ata botuan në Nature Photonics një artikull ku shpjegonin se pikat e Weyl-it do të mund të gjeneroheshin duke prishur simetrinë në një sipërfaqe të quajtur xhiroide, e cila do të mund të krijohej në kristale fotonike. Kristalet fotonike janë lëndë të veçanta dhe mjaft interesante që na lejojnë të kontrollojmë dritën dhe përhapjen e saj. Ato janë mjedise dielektrike periodike, në të cilat humbja është shumë e vogël. Për pikat e Weyl-it, shkencëtarëve iu desh të konstruktonin një kristal fotonik të veçantë me strukturë xhiroide. Strukturat e tilla ekzistojnë në natyrë, si për shembull në krahët e disa fluturave. Për të krijuar një strukturë xhiroide në laborator, në një kristal duhet të hapen një grup vrimash me dimensione dhe në kënde precize. Duke përdorur strukturën e re, shkencëtarët arritën të lokalizonin eksperimentalisht pikat e Weyl-it. Artikulli i tyre u botua ne prestigjiozen Science.
Lu, autori i parë i artikujve, ka shpjeguar (për MIT News) se këto pika mund të mendohen si ekuivalente të monopoleve magnetike (magnet me vetëm një pol). Monopolet magnetike nuk ekzistojnë në realitet, por mund të llogariten në hapësirën reciproke dhe në atë aspekt, ato do të kishin të njëjtat veçori me pikat e Weyl-it.
Duke folur për aplikimet e tyre (për MIT News), profesor Soljačić , udhëheqësi i grupit, ka thënë se ato janë të shumta. Për shembull, me kristalet fotonike të Weyl-it do të mund të përdoreshin për të krijuar laser me një modë të vetme me vëllim të madh. Me rritjen a vëllimit, është gjithnjë e më vështirë to lokalizohet një modë pasi që ka shumë moda, gjë që bën që të ulet kualiteti i laserit në mënyrë drastike. Ky problem nuk do të ekzistonte me strukturën e re. Kjo strukturë lejon përzgjedhje në tre dimensione, sipas Lu-së, dhe me të do të mund të përzgjidhej ngjyra dhe këndi ku duam ta lejojmë dritën dhe t'i bllokojmë këndet e ngjyrat e tjera.
Referencat:
http://www.sciencemag.org/content/early/2015/07/15/science.aaa9273.abstract?sid=b3f82998-1db6-4d56-b7ee-797d3ce094a7
https://newsoffice.mit.edu/2015/Weyl-points-detected-0716
http://www.nature.com/nphoton/journal/v7/n4/full/nphoton.2013.42.html