Fermionet e Weyl-it janë kërkuar për më se 85 vite, fillimisht si grimca të mundëshme elementare që ndërtojnë grimca të tjera. Janë postuluar nga Hermann Weyl si teori alternative me atë të Relativitetit të Einstein-it. Edhe pse ne atë aspekt nuk patën sukses, shkencëtarët e kanë patur parasysh mundësinë për aplikime të tjera për këto grimca.
Në qershor, grupi i shkencëtarëve ne fjalë ka publikuar një raport në Nature Communiations ku kanë dhënë idenë për ekzistencën e fermioneve te Weyl brenda një gjysmë-metali të quajtur arsenid tantalumi (TaAs). Pas simulimit me disa kristale ata vendosën të përdorin një kristal asimetrik, me sipërfaqe të ndryshme sipër dhe poshtë. Eksperimentet e bëra me një kristal të tillë me spektromikroskop skanues tunelues treguan se kristali përshtatej me specifikimet paraprake, pra se fermionet e Weyl-it ishin brenda. Pastaj, kristalet u testuan me një rreze fotonesh të përshpejtuara me energji të lartë, ku forma, madhësia dhe drejtimi i rrezes treguan se fermionet e Weyl-it ishin vërtetë brenda.
Fermionet e Weyl-it nuk kanë masë dhe kanë lëvizshmëri të lartë. Spini i tyre është në drejtim të lëvizjes (i djathtë) dhe në drejtim të kundërt me lëvizjen (i majtë). Për ndryshim nga shumë grimca (si p.sh. bosoni i Higgs-it) të cilat vërehen në kushte të jashtëzakonshme, brenda përshpejtuesve të grimcave, pas përplasjes së grimcave të tjera, fermionet e Weyl-it ekzistojnë në kushte te zakonshme brenda gjysmë-metalit në fjalë dhe janë gati të përdoren.
Profesor Hasan, udhëheqësi i grupit që ka bërë zbulimin, ka thënë (per News at Princeton) se zbulimi i këtyre grimcave është lajm i mirë për elektronikën dhe se ka mundësi të na afrojë me kompjuterët kuantikë. Fermionet e Weyl-it sillen si grimca monopole (magnet me nje pol) dhe antimonopole kur janë brenda kristalit. Kjo do të thotë se këto grimca me ngarkesa simagnetike mund të lëvizin pavarësisht nga njëra-tjetra me lëvizshmëri të lartë. Shkencëtarët gjithashtu kanë zbuluar se fermionet e Wezl-it mund të përdoren për të krijuar elektrone pa masë që lëvizin shpejt pa u reflektuar e shpërndarë, të cilat zhduken kur përplasen me një pengesë. Hasan thote se “Është sikur kanë GPS e vet dhe e shtyjnë veten pa u shpërndarë. Ato lëvizin e lëvizin në një drejtim meqë janë ose të djathta, ose të majta, dhe nuk ndalojnë kurrë sepse tunelojnë përmes. Këto janë elektrone shumë të shpejta që sillen si rreze drite njëdrejtimëshe dhe mund të përdoren për lloje të reja informatike kuantike.
Referencat:
http://www.sciencemag.org/content/early/2015/07/15/science.aaa9297
http://www.princeton.edu/main/news/archive/S43/64/59M11/index.xml?section=topstories
http://www.nature.com/ncomms/2015/150612/ncomms8373/full/ncomms8373.html?message-global=remove