Për të arritur superpërçueshmërinë, deri më tani janë dashur temperatura të rendit -234 gradë Celsius. I vetmi material që bën pëjashtim është qeramika kuprate (qeramikë që përmban anione bakri). Ajo, në presion normal arrin superpërçueshmërinë në -140 gradë Celsius, ndërsa nën presion të lartë mund ta arrijë në -109 gradë Celsius. Arritja e superpërçueshmërisë në temperatura si -70 gradë hapë mundësi për përçim të rrymës pa humbje në një temperaturë të tillë. I vetmi problem është fakti që mbi sulfidin e hidrogjenit duhet ushtruar presion të lartë, pasi që në presion atmosferik ai është në gjendje të gaztë.
Ky rezultat eksperimental në kombinim me rezultatin teorik se nuk ka ndonjë kufi temperature për superpërçueshmëri ka rritur shpresat se ndoshta në të ardhmen do të mund të gjendet një material që do të mund ta përçojë rrymën pa humbje edhe në temperaturë dhome. Arsyeja që mendohet të jetë në qendër të superpërçueshmërisë në temperaturë kaq të lartë (relativisht), është lehtësia dhe frekuenca e lartë e oscilimit të hidrogjenit në rrjetën kristalore. Nën presion të lartë, H2S shndërrohet në H3S, gjë që shton hidrogjenin dhe gjithashtu mundëson lidhje të forta, të cilat japin kontributin e vet për superpërçueshmëri në temperatura relativisht të larta. Në të ardhmen grupi do të mundohet të gjejë materiale të cilat do të mund të përçojnë pa humbje në temperaturë dhome. Ato do të jenë të pasura me hidrogjen. Një nga kandidatët e mundshëm është edhe hidrogjeni i pastër, vështirësia për përdorimin e të cilit si superpërçues qëndron në faktin se presioni për ta metalizuar atë duhet të jetë tepër i lartë.
Burime:
1. http://www.mpg.de/9366213/superconductivity-hydrogen-sulfide
2. http://www.nature.com/nature/journal/vaop/ncurrent/full/nature14964.html