Kapja e një atomi të vetëm në një kurth fotonik është arritur edhe më parë, por kjo është hera e parë që janë kapur disa atome dhe është monitoruar rezultati. Rezultati i arritur tregon për lidhjen atom-foton, e cila shpresohet të përdoret për rrjeta kuantike dhe për studimin e sistemeve me shumë trupa. Kurthi fotonik është krijuar duke përdorur antena kristalesh fotonike (PCW) të dizenjuara enkas. Këto antena përbëhen nga materiali periodik i quajtur kristal fotonik, i cili është një material dielektrik që bën përzgjedhje të gjatësive valore (disa gjatësi valore i lë të kalojnë e disa jo). E veçanta e këtyre materialeve është se ato mund të përdoren për të manipuluar dritën pa humbje, dhe karakteristikat e tyre varen nga diyenjimi dhe fabrikimi.
Antena e fabrikuar nga shkencëtarët në fjalë përbëhet nga nitridi i silicit (Si3N4). Ajo ka formën e një pllake të sheshtë, me gjatësi 50 mikrometra. Kjo pllakë është gdhendur anash në formë të dhëmbëzuar (formë “aligator”) dhe ka një hapësirë të hollë në mes. Rreth 200 nanometra mbi hapësirën qendrore, shkencëtarët kanë krijuar kurthin për atomet duke përdorur dritën. Këtë kurth e mbushën me atome të ftohta ceziumi (Cs), të cilat i eksituan duke ndriçuar njërin skaj të antenës. Pas absorbimit të fotoneve, atomet filluan t’i riemetojnë në mënyrë koherente brenda antenës.
Burime:
1. http://journals.aps.org/prl/abstract/10.1103/PhysRevLett.115.063601
2. http://physics.aps.org/synopsis-for/10.1103/PhysRevLett.115.063601