Kristalet e zakonshme janë struktura periodike në hapësirë. Në gjendjen e tyre më të ulët energjetike, struktura e tyre nuk është e njëjtë në të gjitha drejtimet dhe për këtë themi se ata e thyejnë simetrinë hapësinore. Gjithashtu, këtë thyerje simetrie e bëjnë në mënyrë spontane. Pra në mënyrë të vetvetishme një sistem i cili sipas ekuacioneve do të duhet të ishte simetrik, nuk është i tillë.
Ideja për kristalet kohore erdhi si pasojë e faktit se në fizikë hapësirë-koha konsiderohet një sistem, në të cilin koha është një koordinatë. Për këtë arsye, nëse diçka ndodhë në koordinatat hapësinore, nuk ka asnjë arsye për të mos ndodhur në koordinatën kohore. Për pasojë, kristalet kohore do të ishin periodike në kohë. Për të qenë plotësisht ekuivalente me kristalet e zakonshme, simetria edhe në këtë rast do të duhej të thyhej në mënyrë spontane. Në vitin 2012, Wilczek dhe Shapere përshkruan teorikisht se si mund të ndodhte diçka e tillë klasikisht, ndërsa Wilczek i përshkruajti kuantikisht në një artikull tjetër.
Megjithëse janë dhënë ide për krijimin e mundshëm eksperimental të tyre, ato nuk janë realizuar deri tani. Krijimi i tyre është më i vështirë në praktikë. Kjo ka bërë që shkencëtarë të tjerë të publikojnë artikuj, të cilët kundërshtojnë idenë se simetria kohore mund të thyhet spontanisht. Thyerja spontane e simetrisë kohore do të paraqiste një material në gjendjen e vet bazë, i cili ndryshon vazhdimisht. Por, artikulli i ri detajon se si mund të ndodhte kjo. Ai tregon se thyerja e simetrisë kohore mund të ndodhë në sistemet kuantike të quajtura “sisteme të shtyra shumë trupash të lokalizuara Floquet (apo sisteme të shtyra Floquet – MBL)”. Këto janë sisteme të veçanta Floquet – MBL, për të cilat gjendjet vetjake të operatorit Floquet sillen si gjendje bazë. Kështu, shkencëtarët mendojnë se mund të fabrikohet një kristal me atome apo jone të bllokuara, i cili do të paraqesë lëvizje periodike në kohë, pra i cili do të ishte kristal kohor. Ata shpresojnë të arrijnë të fabrikojnë kristale të tilla në sisteme gazrash atomike të ftohta.
Referencat:
1. http://journals.aps.org/prl/abstract/10.1103/PhysRevLett.109.160401
2. http://bigthink.com/paul-ratner/impossible-time-crystals-may-actually-be-real-say-physicists
3. http://journals.aps.org/prl/abstract/10.1103/PhysRevLett.117.090402
4. https://arxiv.org/pdf/1603.08001v4.pdf (artikulli i plotë parabotim)
5. http://phys.org/news/2016-09-crystals.html
6. http://www.physik.uni-augsburg.de/theo1/hanggi/Chapter_5.pdf