Tornadot e zjarrit janë të rrezikëshme dhe kanë sjellë fatkeqësi të shumta. Por si çdo fenomen tjetër i lejuar nga ligjet e fizikës, edhe ata mund të studiohen, edhe me ta mund të eksperimentohet dhe rezultatet e fituara mund të përdoren për nevojat e njeriut dhe për të mirën e natyrës. Shkencëtarët nga Shkolla e Inxhinierisë A. James Clark po studionin dinamikën e ndezjes dhe djegies së vorbullave të zjarrit kur vëzhguan se si një nga ato u shndërrua në diçka të paparë ndonjëherë, një vorbull zjarri blu. Zjarri i zakonshëm është portokalli dhe prodhon blozë, pasi që nuk ka mjaftueshëm oksigjen për t’u djegur plotësisht dhe meqë digjet në temperaturë më të ulët. Ai është gjithashtu i çrregullt. Për ndryshim nga ky, “vorbulla blu” është blu (që tregon se digjet me temperaturë më të lartë) dhe prodhon pak e aspak blozë (që tregon se ka mjaftueshëm oksigjen të digjet gati plotësisht). Ajo është më e vogël dhe e qëndrueshme.
Shkencëtarët fillimisht kanë studiuar të ashtuquajturin zjarr pellgu, ku një sasi karburanti digjet në një enë. Një veçanti e studimit ishte se karburanti ishte vënë mbi ujë, pra në sipërfaqen e ujit. Ky zjarr shndërrohet në një vorbull zjarri. Më pas, vorbulla e zjarrit të zakonshëm shndërrohet në vorbullën blu, e cila është e qëndrueshme dhe digjet pa shenja turbulence, të vëzhgueshme apo të dëgjueshme. Shkencëtarët në artikullin shkencor shprehen se kushtet që bëjnë të mundur ekzistencën e vorbullës blu dhe djegies gati pa blozë janë “përzierja e shpejtë, shtjellimi intenziv dhe kufiri ujë – sipërfaqe”.
Vorbulla blu paraqitet si zgjidhje e mundshme për derdhjet e karburanteve (si p.sh. nafta) në oqeane, me ç’rast ajo do të ishte zgjidhje që do zgjidhte problemin e blozës e tymit që krijohet në procesin e djegies së naftës për pastrimin e oqeanit. Gjithashtu, shkencëtarët mendojnë se me pak modifikime në procesin e krijimit të tyre, vorbullat blu do të mund të përdoreshin si mënyrë për djegie pa emetim gazrash të dëmshme, qoftë në rastet kur zjarri është i qëllimshëm, qoftë në rastet kur ai është i padëshirueshëm. Vorbulla blu ka gjithashtu edhe më shumë efikasitet se flaka e zakonshme dhe është më e qëndrueshme. Së fundi, shkencëtarët e paraqesin vorbullën blu si një platformë për studimin e mëtejshëm të vorbullave dhe dobësimit të tyre në mekanikën e fluideve.
Referencat:
1. http://www.pnas.org/content/early/2016/08/03/1605860113
2. http://umdrightnow.umd.edu/news/newly-discovered-blue-whirl-fire-tornado-burns-cleaner-reduced-emissions