Fuzioni bërthamor është reaksioni bërthamor gjatë të cilit dy bërthama atomesh bashkohen për të krijuar bërthamën e një atomi të një elementi tjetër. Ky është reaksioni që mban ndezur yjet. Kur dy bërthamat që bashkohen janë të elementeve para hekurit, nga ky proces lirohet energji. Në reaktorët që duam të krijojmë (e gjithashtu në qendër të yjeve) dy bërthama hidrogjeni bashkohen për të dhënë një bërthamë heliumi dhe liruar energji.
ARC ka formë tokamak, që do të thotë se ka formë tubi rrethor magnetik që mbyll brenda plazmën që do të përdoret për fuzion. Ka rreze të madhe 3,3 m dhe rreze të vogël 1,1 m. Ai përdorë superpërçuesit e rinj RECBO për të krijuar spiralet magnetike rreth e rrotull reaktorit. Fusha magnetike shumë e fuqishme bën të mundur mbajtjen e plazmës me temperatura të ngjashme me ato të qendrës së yjeve. Plazma ka qenë e vështirë për t’u kontrolluar, por magnetet e rinj janë në gjendje të mbajnë nxehtësinë dhe grimcat në qendër të reaktorit. Shkencëtarët nga MIT mendojnë se ky reaktor mund të ndërtohet brenda një dekade.
Rritja e fuqisë së fushës magnetike rritë dhe fuqinë e fuzionit. Magnetet e përdorura në këtë dizajn kanë arritur ta rrisin fuqinë e fuzionit rreth 10 herë. Gjithashtu, modeli ARC paraqet edhe përmirësime të tjera dizajni siç është mundësia e heqjes së qendrës ku do të ndodhi fuzioni pa pasur nevojë të çmontohet i gjithë reaktori. Kjo do të bëjë të mundur studimin e materialeve të ndryshme për ta përmirësuar edhe më tej modelin. Materialet do të testohen për jetëgjatësi dhe përshtatshmëri. ARC përdorë material të lëngët rreth pjesës qendrore, kështu që ndërrimi i tij do të jetë i shpejtë dhe i lirë, në krahasim me pjesët e ngurta që përdoren në reaktorë të tjerë.
Burime:
1. http://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S0920379615302337
2. http://newsoffice.mit.edu/2015/small-modular-efficient-fusion-plant-0810