Vrimat kohore-hapësinore janë objekte teorike kozmologjike, të cilat lidhin dy pika të hapësirës. Një bashkëpunim mes shkencëtarëve nga Universiteti i Rochester, Universiteti i Loughborough, Universiteti i Teknologjisë në Helsinki dhe Universiteti i Washington, ka rezultuar në teorizimin për një vrimë kohore-hapësinore për fushat elektro-magnetike në vitin 2007. Modeli i tyre paraqet një vrimë të tillë të krijuar nga metamaterialet. Metamaterialet janë materiale artificiale, me permitivitet dhe permeabilitet negativ. Ata përdoren për lloje të ndryshme kërkimi shkencor dhe shpikjesh teknologjike, nga të cilat më të njohurit janë kërkimet për mantelin e padukshmërisë. Bazuar në atë model teorik matematik, shkencëtarët spanjollë kanë arritur të krijojnë një pajisje që vepron si vrimë kohë-hapësire për fushën magnetike.
Pajisja e tyre përbëhet nga një sferë, në qendër të së cilës gjendet një tub magnetik. Përreth tubit gjendet rrjeta e superpërçuesit, e përberë nga materiali i quajtur ytrium-barium-oksid bakri. Ky material vepron si superpërçues vetëm kur të vihet në temperaturë mjaftueshëm të ulët, dhe për këtë arsye është dashur të vihet në azot të lëngët. Kjo strukturë shërben për shmangien e fushës. Rreth saj është vendosur një sferë ferromagnetike nga një metmaterial, për ta bërë gjithë vrimën kohore-hapësinore të padukshme magnetikisht. Rezultati ka qenë një fushë magnetike që futej në tub nga njëra anë, dukej sikur zhdukej nga hapësira, dhe dilte në një pikë tjetër të hapësirës duke u dukur si monopol magnetik.
Ky krijim, sipas autorëve nuk është thjesht arritja e parë për krijimin e një gjëje që deri më tani ka qenë pjesë e fantashkencës, por ka edhe aplikime reale. At shpresojnë që në të ardhmen, kjo shpikje të përdoret për krijimin e skanerëve të rinj të rezonancës magnetike (MRI), në të cilët pacienti nuk do të ketë nevojë të futet për kontroll, por do të qëndrojë në një pozicion më praktik.
1. http://www.nature.com/articles/srep12488
2. http://arxiv.org/pdf/math-ph/0703059.pdf
3. https://www.newscientist.com/article/dn28071-metamaterial-wormhole-teleports-magnetic-fields-across-space/