Këtë javë është folur shumë për ekstremistët, por ata nuk janë të gjithë të rrezikshëm... hmmm... të paktën jo për të tjerët. Njihuni me ekstremistin e neuroshkencës, doktor Fil Kenedi (Phil Kennedy). I quajtur ndryshe edhe babai i organizmave kibernetik, ai është bërë i njohur për ndërfaqet tru-kompjuter të krijuara me futjen e elektrodave në tru, të cilat e lidhnin njeriun me kompjuterin. Ai ka arritur të mundësojë që një grua e paralizuar të lëvizi një kursor kompjuteri përmes lidhjes së trurit të saj me kompjuterin. Ai arriti të kryejë eksperimente të suksesshme me kafshë dhe në vitin 1996 Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e SHBA-ve e lejoi të fillonte testimet në njerëz, por vetëm në ata që ishin të paralizuar dhe plotësisht të palëvizshëm e të paaftë për të folur. Edhe pse disa eksperimente patën sukses duke bërë që pacientët të ndiznin e fiknin çelësa apo të zgjidhnin shkronja, kushtet e eksperimentimit paraqisnin problem. Meqë pacientët nuk flisnin dot, ai nuk e dinte se çfarë mendonin ata kur neuronet e tyre jepnin sinjale që çonin në kryerjen e një veprimi të caktuar në kompjuter. Gjithashtu, meqë të gjithë ishin të sëmurë rëndë, disa prej tyre vdisnin para se ai të arrite të merrte informacion të mjaftueshëm. Pas paaftësisë për të paraqitur të dhëna për sigurinë e pacientëve atij iu ndalua të vazhdonte eksperimentet në njerëz. Pas më se 29 vitesh punë në këtë fushë, për neuroshkencëtarin po bëhej gjithnjë e më e vështirë të gjente financim për punën e tij apo vullnetarë që do u nënshtroheshin eksperimenteve të tij. I dëshpëruar, ai vendosi se shkenca ishte më e rëndësishme se jeta e tij. Ai organizoi një operacion në trurin e tij (pra në trurin e një personi të shëndoshë) duke thyer betimin e tij si mjek. Operacioni u krye nga një kirurg në Amerikën Jugore, kundrejt 25 000 dollarëve amerikanë. |
Pas disa komplikimeve në operacion, ai u shërua mjaftueshëm për të vazhduar punën. Ai kontrolloi punën e 65 neuroneve kur thoshte shkronja, fjalë apo fraza të ndryshme. Ai arriti të mbledhë të dhëna për kombinimet e neuroneve në varësi të gjërave që thoshte. Për shkak të komplikimeve shëndetësore, pas disa javësh eksperimente, ai u detyrua t’i nënshtrohej një operacioni tjetër për të hequr elektrodat nga truri.
Burime:
1. http://www.technologyreview.com/news/543246/to-study-the-brain-a-doctor-puts-himself-under-the-knife/
1. http://www.technologyreview.com/news/543246/to-study-the-brain-a-doctor-puts-himself-under-the-knife/