Në kohën në të cilën jetojmë, kompjuterët janë pjesë e përditshmërisë. Pothuajse çdo punë kërkon njohuri të kompjuterit. Punët shkencore zakonisht kërkojnë punë më të detajuar dhe njohuri të të paktën një gjuhe programimi, e jo rrallë më shumë se një. Gjuhët e programimit janë gjuhë me të cilat i jepen urdhra një pajisjeje siç është kompjuteri apo celulari. Çdo program, çdo aplikacion, çdo lojë, çdo analizim të dhënash, është rezultat i një programi të shkruar në një gjuhë programimi. Për çdo të ri e të re, është shumë me rëndësi njohja e tyre. Kjo edhe për faktin se vendet e punës në krijim programesh e aplikacionesh sa vijnë e shtohen.
Programimi nuk është vetëm për punë. Ai të hapë një botë të re në internet. Që nga shkrimi i kodeve të hapura, modifikimi i programeve të ndryshme, apo krijimi i web faqeve personale deri te hakimi, të gjitha janë gjëra që bëhen të mundura vetëm pasi të keni mësuar të programoni. Gjithashtu, programimi ndihmon në ushtrimin e trurit për të zgjidhur probleme, gjë që ju ndihmon të bëheni më të zgjuar.
Lista e gjuhëve sipas rëndësisë që paraqitet menjëherë pas hapjes së faqes, është sipas përzgjedhjes së IEEE Spectrum, por mund të zgjidhet renditja sipas ofertave për punë (‘jobs’), sipas gjuhëve që po përdoren gjithnjë e më shumë (‘trending’), sipas përdorimit në qendrat për kod të hapur (‘open’), apo sipas një renditjeje të rëndësishme për punën e veçantë që bën (‘custom’). Gjithashtu, nga lista mund të përzgjidhen renditjet e bashkuara të të gjitha llojeve apo, të përzgjidhet renditja e dëshiruar sipas interesit për krijimin e web faqeve dhe aplikacioneve (‘web’), aplikacioneve për celular (‘mobile’), programeve për ndërmarrje apo punë shkencore (‘enterprise’), apo për programimin e kontrolluesve të pajisjeve.
Krijimi i listës është bërë bazuar në 10 burime të ndryshme. Lista ka filluar me 300 gjuhë të ndryshme programimi dhe pastaj janë hequr ato më pak të përdorura e të kërkuara për të përfunduar me 48 gjuhët më të popullarizuara, që kërkohen më shumë dhe që përdoren më shumë. Burimet nga është marrë informacioni për nivelin e kërkimit dhe përdorimit të gjuhëve janë: Google Search, Google Trends, Twitter, GitHub, Stack Overflow, Reddit, Hacker News, CarrerBuilder, Dice dhe IEEE Xplore Digital Library.
Më poshtë mund të shihni fotografi të listave sipas IEEE Spectrum dhe sipas ofertave të punës. Nëse doni të mësoni një gjuhë programimi, filloni nga ato më të rëndësishmet. Nëse doni një gjuhë programimi specifike për profesionin tuaj është mirë të diskutoni me kolegë të të njëjtit profesion për t’u informuar për gjuhët që ata njohin dhe gjuhët që do të donin të njohin.
Referenca:
1. http://spectrum.ieee.org/static/interactive-the-top-programming-languages-2016
2. http://spectrum.ieee.org/ns/IEEE_TPL_2016/methods.html