Një përmbytje e madhe është njohur në mitologjinë kineze për një kohë të gjatë, dhe për një kohë shkencëtarët kanë qenë skeptikë për vërtetësinë e kësaj përmbytjeje. Tani, të dhënat gjeologjike, arkeologjike, antropologjike e seizmologjike, duket se e mbështesin mitin duke e kthyer atë në histori. Një artikull i publikuar sot (5 gusht) në prestigjiozen Science tregon se datimi i eshtrave të zbuluara në vendin ku mendohej se ka ndodhur përmbytja tregon se katastrofa ka ndodhur në vitin 1920 p. K.
Legjendat kineze tregonin se si perandori Ju (Yu) krijoi dinastinë e parë në historinë e Kinës, dinastinë Ksia (Xia). Studiuesit kanë menduar se historitë, të cilat tregonin se si ai arriti ta kontrollonte përmbytjen dhe të kthente Lumin e Verdhë në shtratin e vet gjë që i dhuroi atij të drejtën hyjnore për të krijuar dinastinë Ksia dhe civilizimin kinez, ishin thjesht një mënyrë e kinezëve të lashtë për të shpjeguar faktin se dikush arrin të bëhet perandor, ndërsa të tjerët mbeten njerëz të thjeshtë. Meqë deri tani nuk kishte të dhëna shkencore dhe meqë kjo histori është treguar si gojëdhënë nja njëmijë vite para se të shkruhej, gjasat që të ishte e vërtetë ishin të pakta. |
Por, zbulimi i ri tregon se bëhej fjalë për një histori më afër realitetit. Edhe pse të dhënat tregojnë se ka ndodhur në vitin 1920 p.K. e jo në 2200 p.K., siç thuhej nga historia e vjetër. Përmbytja duket se është më e madhja në 10 000 vitet e fundit dhe rreth 500 herë më e madhe se ç’mund të pritet të ndodhë në Lumin e Verdhë vetëm nga shirat. Me sa duket bëhej fjalë për një lloj digë natyrale 200 metra të lartë, të shkaktuar nga rrëshqitja e tokës nga tërmeti, e cila e ka grumbulluar ujin në një tip liqeni dhe më pas është shkatërruar kur uji ka filluar të kalojë mbi të, diku 6-9 muaj më vonë. Shkencëtarët kanë zbuluar sediment të mbetur në të dy anët e luginës, në vendin deri ku ka arritur uji. Ata gjithashtu kanë zbuluar pjesë të mbetura në zonën ku duket se është thyer diga. Thyeja e saj duket se ka sjellë rreth 300 000 deri në 500 000 metra kub për sekondë ujë në luginë. Kjo bëri që uji në luginë të arrinte deri 38 metra mbi nivelin që Lumi i Verdhë ka tani. I njëjti tërmet që ka krijuar digën, gjithashtu ka vrarë njerëz në një fshat në luginë, mes tyre edhe fëmijë. Gjatë përmbytjes disa muaj më vonë, mbi ta është mbledhur sedimenti. Kur shkencëtarët i testuan eshtrat me testin e karbonit, ata zbuluan se përmbytja datonte rreth vitit 1920 p.K., disa muaj pas tërmetit. Ky zbulim ka rëndësi të veçantë pasi që tregon se kjo përmbytje ishte vërtetë me shumë rëndësi për Kinën. Pikërisht në atë kohë, historianët vënë kalimin nga epoka e neolitit të vonë në atë të bronzit të hershëm. Më parë historianët e kanë vendosur krijimin e Dinastisë Ksia në vitin 2200 p.K, ndërsa një projekt i qeverisë e kishte datuar në vitin 2070 p.K. |
Referencat:
1. http://www.aaas.org/news/first-geological-evidence-chinas-great-flood-uncovered
2. http://phys.org/news/2016-08-evidence-legendary-china-rewrite-history.html
3. http://www.eurekalert.org/pub_releases/2016-08/aaft-gdp080116.php
4. http://www.sciencemag.org/news/2016/08/massive-flood-may-have-led-chinas-earliest-empire
5. http://science.sciencemag.org/content/353/6299/579